E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, 50 mijë lekë gjobë stomatologëve pa licencë

Dentistët që ushtrojnë pa licencë profesionin e tyre, do të gjobiten me 50 mijë lekë. Veç kësaj do t'u bllokohet plotësisht aktiviteti deri sa të plotësojnë kriteret e kërkuara nga ministri i Shëndetësisë.

Ligji i ri për "Shërbimin shëndetësor stomatologjik" ka kaluar dje në qeveri. Ky ligj vjen në një kohë kur në vendin tonë, rreth 20% e klinikave dentare, janë pa licencë dhe të hapura në bodrume e shtëpi private, ku është e vështirë të identifikohen. Në jo pak raste higjiena sanitare lë për të dëshiruar, çka mund të sjellë pasoja të mëdha në shëndetin e qytetarëve. Mungesa e trajtimit siç duhet, mund të çojë në marrjen e sëmundjeve deri vdekjeprurëse nga dhëmbët, si SIDA apo Hepatiti C. Situata prezente prej vitesh tashmë, ka detyruar politikbërësit e shëndetësisë të marrin masa të rrepta. Sipas ligjit të ri, në klinikat dentare shërbimin shëndetësor stomatologjik duhet ta ofrojnë mjekët stomatologë, ndihmësmjekët stomatologë dhe laborantët dentarë". Personeli i shërbimit shëndetësor stomatologjik e ushtron veprimtarinë në përputhje me rregullat e miratuara nga ministri i Shëndetësisë", theksohet në nenin 7 të ligjit. Kur ky nen shkelet, vendoset gjobë deri në 50.000 lekë dhe në rast përsëritjeje, mbyllet veprimtaria. Autoriteti përgjegjës për vënien dhe ekzekutimin e gjobave është Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik. Kjo strukturë do të ngrihet në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. "Inspektorati Shëndetësor Stomatologjik është organi ekzekutiv, i specializuar për kontrollin e zbatimit të këtij ligji dhe të akteve nënligjore, që rregullojnë shërbimin shëndetësor stomatologjik", thuhet në ligj. Gjithashtu është përcaktuar se  në institucionet e shërbimit shëndetësor stomatologjik publik ofrohet falas shërbimi për personat nga mosha 0 deri 18 vjeç. Këtë shërbim e përfitojnë pa pagesë edhe të shtruarit dhe ata që trajtohen në institucione spitalore publike, për mjekime urgjence. "Shërbimi profilaktik, diagnostikues dhe edukimi shëndetësor stomatologjik ofrohen në të gjitha institucionet arsimore të nivelit të detyrueshëm", përcakton neni 4 i ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›