E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi i vitit 2008 u mbyll me rritjen e shitjes së apartamenteve



Sektori i ndërtimit gjatë fundvitit 2008 dhe fillimit të këtij viti ka pasur një rritje të shitjeve të apartamenteve sidomos në kryeqytet. Sipas Ilir Hebovijës, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, një gjë e tillë ndodh për shkak të frikës apo mosbesimit në sistemin bankar dhe investimit të parave në pasuri të patundshme dhe më të sigurta. Shtimi i shitjeve vihet re më tepër që nga ardhja e emigrantëve për festën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Sipas Hebovijës, çmimet e apartamenteve deri tani nuk kanë ndryshuar dhe kanë ruajtur stabilitet, por nuk mund të mohohet edhe parashikimi për një rritje të mundshme të tyre. Kjo mund të ndodhë si pasojë e rritjes së çmimit të materialeve të ndërtimit pasi shumica e tyre importohen nga vendet e huaja dhe për shkak të ndikimit të krizës globale pritet një ngritje e vlerës së tyre duke ndikuar drejtpërdrejt te ndërtuesi shqiptar. Deri tani, zonat më të shtrenjta në kryeqytet mbeten qendra dhe Tirana e Re, ku çmimet variojnë në 1200-1500 euro m2, ndërsa periferi-qendër rreth 700 euro m2. Më e lira është periferia, 500 euro m2.

Janar 2009, leku dobësohet ndaj monedhave të huaja

Muaji i parë i vitit 2009 ka nisur me një dobësim të lekut, sidomos përballë euros. Në kursin e këmbimit valutor, një euro blihet me 124,7 lekë dhe shitet me 125,3 lekë. Sipas specialistëve, në krahasim me vitin e kaluar monedha e përbashkët europiane ka pasur një përmirësim të madh edhe kundrejt monedhave të tjera. Por ndërkohë një rritje e vlerës së këmbimit shihet edhe te dollari dhe te paundi britanik, ku të dyja këto monedha janë përmirësuar ndjeshëm si në bursën ndërkombëtare edhe përballë lekut. Dollari amerikan është ngritur disa pikë dhe në bazë të mendimit të specialistëve një rritje e tillë parashikohet për të gjithë javën në vazhdim, ndërkohë që forcimi i vazhdueshëm i euros kundrejt lekut mendohet të jetë edhe si rezultat i largimit të emigrantëve nga Shqipëria. Në fillim të këtij viti, leku nuk ka një kërkesë të madhe edhe pse politikat që Banka e Shqipërisë ka mbajtur kanë qenë lënia e lirë e monedhës vendase pa ndikuar në politikën monetare dhe duke ruajtur vlerën e inflacionit 3 për qind. Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, dollari blihet me 91,7 dhe shitet me 92,3 lekë, ndërkohë që edhe paundi si pasojë e rritjes së tij është blerë me 136,5 dhe është shitur me 137 lekë.

Ankandi, BSH-ja hodhi dje në shitje 19 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave nxori për shitje bono thesari me maturim 12 e 6-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen në 9.01.2010 dhe 28.06.2009. Nga totali prej 19 miliardë lekësh, 12.7 miliardë do të jenë bono me maturim 12-mujor dhe 6.3 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 6-mujor që do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›