Fundjava, policia bllokon 950 leje qarkullimi dhe 53 mjete
Policia e Tiranës brenda harkut kohor të 3 ditëve pezullon 950 leje qarkullimi, ndaj drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk kanë paguar detyrimet nga kundërvajtjet administrative. Si në ditët e tjera të javës, edhe gjatë fundjavës, policia e kryeqytetit ka ndërmarrë kontrolle të vazhdueshme ndaj drejtuesve të mjeteve të cilat janë debitor në shlyerjen e detyrimit të tyre, që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. "Kontrolle dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren edhe në ditën në vijim dhe njëherazi u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare", deklaroi policia. Sipas të dhënave, përgjatë këtyre tri ditëve janë pezulluar 950 leje qarkullimi dhe janë bllokuar 53 automjete, për mos-shlyerje të detyrimeve. Sa më sipër, nga 950 leje qarkullimi të pezulluara, 550 drejtues mjetesh shlyen detyrimet e tyre. Pas shlyerjes së detyrimeve, 27 drejtuesve të mjeteve iu dhanë automjetet ndërsa, 26 automjete aktualisht ndodhen të bllokuara në Komisariatin e Policisë Rrugore deri në shlyerjen e detyrimeve të tyre. Për datën 2 tetor, në Postën Shqiptare janë arkëtuar 1500 masa administrative me vlerë 1.880 000 lekë. Më datën 03 tetor, janë arkëtuar 622 masa administrative me vlerë 2. 731 390 lekë. Sa më sipër, shërbimet e Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, gjatë tri ditëve të fundit, në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur 1581 masa administrative me vlerë 1.812 000 lekë, si dhe janë pezulluar 21 leje drejtimi. Policia e Tiranës u kërkon të gjithë përdoruesve të rrugës, për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor.
Ble. Gi.
Ble. Gi.