E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre zv/ministrat "boshatisin" zyrat

Tre zëvendësministrat e Ministrisë së Brendshme kanë boshatisur zyrat e tyre pas ndërrimit të kreut të këtij dikasteri. Pikërisht ditën e djeshme, Gent Strazimiri, Ferdinand Poni dhe Iva Zajmi kanë liruar zyrat e tyre në pritje të emërimeve të reja. Nga ana tjetër, ministri i ri, Lulzim Basha, ka nisur të ndërtojë kabinetin e tij, duke sjellë disa emra të rinj në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, dy nga zëvendësministrat, Ferdinand Poni dhe Iva Zajmi mund të jenë sërish në vendet e tyre, por i treti Gent Strazimiri nuk do të jetë më për shkak të zgjedhjes së tij edhe si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, të tre kanë lënë zyrat deri në emërimin e ri sipas vendimeve përkatëse. Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme është Etion Kapedani. Ndërkaq, ministri i ri nuk ka vonuar për të zgjedhur edhe disa nga këshilltarët e tij. Sipas të dhënave zyrtare, drejtor i kabinetit është zgjedhur Heroin Lahi. Bashkë me të janë zgjedhur edhe dy nga këshilltarët, të cilët janë Muharrem Kajolli dhe Ledio Nuraj. Gjithashtu, po dje është rikthyer online faqja zyrtare e Ministrisë së Brendshme. Ashtu siç ndodh kur ndërrohet çdo ministër, ajo ishte mbyllur përkohësisht dhe dje ka dalë me imazh të ri, por edhe me kreun e saj të ri, ministrin Lulzim Basha. Në faqen e parë bien në sy takimet e para të Bashës si kreu i këtij institucioni bashkë me fotografitë përkatëse.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›