E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënoi prokurorin me vdekje në gjyq

Kërcënohet me jetë një prokuror i organit të akuzës në kryeqytet gjatë një seance gjyqësore. Prokurori, që sipas policisë është Gjon Kodra, është kanosur seriozisht nga një person i akuzuar për vrasjen aksidentale të një fëmije. Ai ka kërkuar lirimin nga "arrest shtëpie", por me veprimin që ka kryer këto ditë është dërguar direkt e në burg. Bëhet fjalë për Bexhet Voglin, i cili akuzohet bashkë me vëllain e tij, Sali Voglin, për vrasjen aksidentale të një fëmije dhe plagosjen e lehtë të fqinjit të tyre, si edhe dëmtimin e pronës së tij. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë në Tiranë, ndërkohë që aktualisht vazhdon gjyqi për ta.

Historia
Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se Bexhet Vogli, 33 vjeç, u arrestua nga seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit, pasi në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ai ka kanosur prokurorin Gjon Kodra, i cili sapo kishte mbaruar një seancë gjyqësore në ngarkim të të dy të pandehurve, Bexhet Voglit, ndaj të cilit gjykata kishte vendosur arrest shtëpie dhe Sali Voglit, që aktualisht ndodhet i arrestuar, detajoi policia. Sipas të dhënave hetimore, 33-vjeçari kishte kërkuar që të lirohet, por kjo nuk është pranuar nga prokurori, duke dhënë argumentet përkatëse. Në këtë moment, ai ka kërcënuar Kodrën seriozisht dhe kjo ka sjellë reagimin e gjykatës, që nga "arrest shtëpie" ka ndryshuar masën në "arrest me burg". Masa është ndryshuar menjëherë nga gjyqtari Martin Deda. Nga ana tjetër, gazeta kontaktoi me prokurorin Gjon Kodra, i cili nuk pranoi të prononcohet në lidhje me kanosjen. "Është informacion i gabuar dhe nuk kam ndonjë koment", ka deklaruar prokurori Kodra në një prononcim të shkurtër.

Gjyqi
Sipas kërkesës për gjykim, dy vëllezërit Bexhet e Sali Vogli kanë kryer veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia" të djalit 3-vjeçar me inicialet K.S. dhe "dhunimit të banesës" të shtetasit Ilir Faslliu. Sipas kësaj dosjeje, mësohet se dy vëllezërit Vogli dhe shtetasi 40-vjeçar Faslliu janë fqinjë dhe rruga për në shtëpinë e familjes Vogli kalon nga dera e shtëpisë së familjes Faslliu. Dy vëllezërit Vogli, në rrugën që i dërgonte ata në banesën e tyre, ecnin shpejt me makinën e tyre të tipit "Benz", duke sjellë pakënaqësinë e fqinjit Faslliu. Në mesditën e datës 12 mars 2009, në kohën që vëllezërit Vogli po kalonin me makinën e tyre me shpejtësi në rrugën e lagjes "Ali Demi", e njohur si zona e "Shkozës", Faslliu ua ka prerë rrugën, duke i kërkuar të ulin shpejtësinë. Por, kjo kërkesë nuk u ka pëlqyer dy vëllezërve Vogli, të cilët kanë shkëmbyer fjalë fyese me 40-vjeçarin Faslliu, që ka degjeneruar në konflikt verbal mes tyre.
Dy vëllezërit, përkatësisht 33-vjeçari Bexhet dhe 24-vjeçari Sali Vogli, në sherr e sipër kanë hyrë brenda ambienteve të shtëpisë së 40-vjeçarit Faslliu duke u grindur, pa e diktuar që në rrugë kishin shkelur me këmbë një fëmijë të moshës 3 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas evidentimit të këtij fakti, dy vëllezërit Vogli janë arrestuar nga policia dhe më pas ka nisur gjykimi për krimin e kryer, të "vrasjes nga pakujdesia" të fëmijës 3 vjeç dhe "dhunimit të banesës" së fqinjit Faslliu. Veç këtyre akuzave, Bexhet Vogli do të gjykohet edhe për kërcënimin e prokurorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›