E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD nis fushatën e inspektimeve nëpër gjykata



Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata të ndryshme të vendit do të inspektohen nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu është vendosur pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe tashmë grupi inspektorëve që iu është besuar kjo detyrë ka marrë direktivat e duhura. Burime pranë KLD-së pohuan dje për gazetën “Albania” se kësaj here monitorimi do të përfshijë disa gjykata për një sërë çështjesh. Një nga pikat kryesore që do t’i jepet rëndësinë e duhur nga inspektorët duket se do të jetë gjetja e shkakut për shtyrjen pafund të seancave gjyqësore. Sakaq dhe respektimi jo vetëm i orareve të punës, por edhe zhvillimet të seancave do të vëzhgohen nga inspektorët e KLD-së.
Urdhri
Probleme të ndryshme të gjyqësorit kanë ndikuar që të kenë në një mendim të përbashkët anëtarët e KLD-së. Ankesat e shumta nga palët në proces për zgjatje të proceseve më në fund duket se do të marrin një përgjigje. Sipas burime pranë këtij institucioni, këshilli ra dakord për kryerjen e një inspektimi tematik në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore dhe të Apeleve për një periudhë prej gjashtë muajsh. Të njëjtat burime shpjeguan se kryesisht inspektorët do të monitorojnë lidhur me: respektimin e solemnitetit gjyqësor, reflektimin e etikës gjyqësore
zhvillimin e gjykimeve në orar dhe në përgjithësi të disiplinës në punë. Rëndësi e veçantë gjatë kësaj periudhe inspektimi, u vendos ti kushtohet seancave gjyqësore që lidhen me çështje me objekt: shqyrtimin e kërkesave penale në fazën e hetimeve paraprake.
Inspektimi
Deri më tani janë kryer inspektime nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë. Tashmë inspektimi i parë ka mbaruar dhe pritet që masat që do të marrë ministri t’i dërgohen këshillit për miratim. Ky inspektim është realizuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Ministria e Drejtësisë pak kohë më parë bëri publike se 12 gjyqtarë të kësaj gjykate se kanë zvarritur shpalljen e vendimeve gjyqësore duke cenuar procesin e gjykimit dhe dëmtuar qytetarët. Informacionet e marra nga kryesekretaria e kësaj gjykate, kanë treguar se shpalljet e vendimeve gjyqësore bëhen pas 7 muaj e 23 ditësh nga marrja e vendimit. Pas kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë Ministria e Drejtësisë ka përgatitur një raport përfundimtar. Inspektimi ka evidentuar faktin se një numër i madh dosjesh janë dorëzuar minimalisht në një afat kohor mbi dy muaj nga dhënia e vendimit dhe maksimalisht 6 muaj nga dhënia e vendimit. Raporti evidenton se vonesat në dorëzimin e dosjeve kanë sjellë pasoja për të gjitha palët ndërgjyqësore, pasi n.q.s njëra palë kërkon të ekzekutojë vendimin, pala tjetër kërkon të bëjë rekurs për në Gjykatën e Lartë, kërkesë e cila, në bazë të nenit 476 të Kodit të Procedurës Civile, duhet të depozitohet në një afat prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve. Sipas inspektorëve në këto kushte gjyqtarët kanë shkelur të drejtën e palëve për gjykim brenda afatit te arsyeshëm ligjor, duke lejuar tejzgjatje të procesit dhe mosrealizim të të drejtave të tyre themelore në kohë. Raporti u është dërguar 12 gjyqtarëve të kësaj gjykate për të paraqitur observacionet dhe mbas përfundimit të këtij procesi Ministri i Drejtësisë do të vlerësojë nisjen e procedimeve disiplinore për rastet e sipërpërmendura në bazë të detyrimeve ligjore të përcaktuar nga ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.

Urdhri i KLD-së
Të inspektohen të gjitha gjykatat e shkallës së Parë dhe të Apelit në vend

Afati kohor
Sipas KLD-së gjykatat duhen inspektuar të gjitha brenda gjashtë muajsh

Inspektimi
Inspektorët do të monitorojnë gjyqtarët për shtyrjen e seancave gjyqësore, respektimin e solemnitetit gjyqësor, reflektimin e etikës gjyqësore zhvillimin e gjykimeve në orar dhe në përgjithësi të disiplinës në punë

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›