E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi: “Po i mbajmë nën kontroll flakët”



Shefi i Përgjithshëm i Zjarrfikësve, Dilaver Laçi, bëri të ditur se situata nuk është ende e gjitha në kontroll, edhe pse po punohet intensivisht për shuarjen e flakëve. “Qëllimi ynë është mbrojta e objekteve që nuk janë përfshirë nga flakët si dhe ruajtjen e dy magazinave të mëdha të mbushura me materiale. Ajo ç’ka mund të thuhet është se zjarri ka shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale. Kemi kërkuar të gjithë përforcimet e mundshme dhe po arrijmë të mbajmë nën kontroll flakët”.

Zbulohet grupi i vjedhësve të një qendre interneti

Tiranë - Seksioni Kundër Vjedhjeve të Biznesit, pas kallëzimit të deponuar mbi vjedhjen e një lokali internet - kafe në pronësi të një shtetasi, identifikoi si autorë të mundshëm shtetasit: Kiljan Gjeçi, Donald Bitraj, Marson Murataj, Xh. M. dhe Vendim Murataj. Policia sqaron se nga kryerja e veprimeve procedurale në banesat e tre shtetasve Murataj u gjetën dhe sekuestruan 40 njësi qendrore dhe 40 ekrane kompjuteri LCD të markës “LG”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.

Arrestohet 26-vjeçari, dyshohet për falsifikim dokumentesh

Tiranë - Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Financiar kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Bledar Muça, 26 vjeç. Prangosja e tij u bë sepse kur është ndaluar në rrugën e Dibrës dhe ka paraqitur një dokument policie të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Më pas atij ju gjendën edhe dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve”, “falsifikimit të vulave dhe stampave”, “falsifikim të akteve të Gjendjes Civile”.

Lulzim Muka dyshohet të ketë “vënë dorë” mbi magazinat e “Olva Hrom”

Tiranë - Seksioni Kundër Vjedhjeve të Biznesit, pas kallëzimit të deponuar nga një i dëmtuar mbi vjedhjen e magazinave të firmës “Olva Hrom”, realizuan ndalimin e shtetasit Lulzim Muka, 32 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Frutikulturë Kamzë, pasi dyshohet si autor i kësaj vjedhje. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134 e 25 i Kodit Penal.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›