E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundoset toka, evakuohen banorët

 

LIBRAZHD/ ALDO KOZARJA

Fundoset toka në një fshat të Librazhd, duke rrezikuar jetën e 70 familjeve të saj.Në zonën e njohur si Lugina e Qafë-Dardhës, komuna Polis, mëngjesin e djeshëm janë ndjerë lëkundje të forta. Ato kanë vazhduar dhe gjatë ditës, duke shkaktuar zhytjen e tokës deri në 3 metra thellësi. Fundosja është krijuar në formë brezash, çka ka krijuar alarm në zonën ku rreziku ishte pranë banorëve dhe një vit më parë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar shtabi i emergjencës së nënprefekturës së Librazhdit, përfaqësues të policisë, të cilët po bëjnë të mundur evakuimin e anëtarëve të 25 familjeve që rrezikohen më tepër. Shefi i shtabit të emergjencës në nënprefekturën e Librazhdit, Agron Frroku, pohoi dje nga lugina e Qafë-Dardhës se në këtë zonë janë rreth 70 familje. “Aktualisht, situata paraqitet alarmante edhe pse deri më tani nuk ka asnjë shembje shtëpie apo rrezik për jetën e banorëve”, pohoi Frroku. Për shkak të fundosjes së tokës në këtë fshat të largët të Librazhdit policia ka bllokuar akset rrugore Polis–Gushë Shpat dhe Polis-Vilan, me qëllim që asnjë automjet të mos përshkojë këtë aks rrugor, pasi këto dy fshatra ndodhen shumë pranë me luginën. Po sipas Frrokut ka thuajse tre vjet që kjo zonë përbën rrezik për banorët për shkak të terrenit dhe shfaqjes së fenomenit sa herë bie shi. “Në muajin mars të vitit 2008 ne si prefekturë me ndihmën e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencave shpërndamë për banorët e kësaj zone çadra me qëllim që të braktisnin banesat deri në transferimin e tyre në fshatin më të afërt. Aktualisht, më në rrezik janë rreth 25 banesa, të cilat ndodhen shumë pranë vendit ku ka filluar të fundoset toka dhe policia si dhe shtabi i emergjencave po punojnë për evakuimin e banorëve nga kjo luginë”.
Pas alarmit në këtë zonë ka mbërritur dhe deputeti i zonës Taulant Balla e përfaqësues të tjerë vendorë. Banesat në këtë luginë janë thuajse 60–vjeçare. Zona përbëhet nga rreth 70 familje me 360 banorë, një pjesë e të cilave janë larguar nga fshati, duke u zhvendosur në një zonë më të ulët ose duke emigruar jashtë vendit. Deputeti Balla kërkoi dje ndihmën e Ministrisë së Brendshme për t’iu gjendur pranë banorëve në këtë situatë. Mësohet se në komunikim me ministrin Nishani, ky i fundit ka pohuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të diskutohet për akordimin e një fondi për banorët. Banorët janë strehuar mbrëmë nëpër të afërm të tyre ose nëpër çadrat e shpërndara prej 1 viti.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›