E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga kati i gjashtë, 1 vit pas vdekjes së nënës

 

Depresioni pas humbjes së nënës ka çuar në vetëvrasje një 31-vjeçar kryeqytetas, plot një vit pas vdekjes së saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:00 të mbrëmjes së djeshme në bllokun e banimit “1 Maji” në kryeqytet, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”. Sipas fqinjëve, shkak për vetëflijimin e të riut ishte depresioni i rëndë në të cilin ai kishte kaluar që pas humbjes së nënës një vit më parë. Madje, sipas tyre, rreth katër muaj më parë, i riu kryeqytetas ka tentuar të vrasë veten duke gëlltitur një sasi helmi, por dërgimi i tij në spital dhe ndërhyrja në kohë e mjekëve bëri të mundur mbajtjen e tij në jetë. Gjatë ditës së djeshme mësohet se ai kishte shkuar në varreza ku kishte vizituar varrin e nënës, në të cilin prej një viti shkonte shpeshherë e qante dhe pas kthimit në banesën e tij në katin e gjashtë të një pallati të ri, është hedhur nga ballkoni. Trupi i tij ka rënë në asfaltin e rrugës poshtë pallatit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja
Fqinjët e tij pohojnë se pak minuta para vetëvrasjes i riu ishte parë të hynte në banesë, ndërsa ishte kthyer nga varrezat, pasi ditën e djeshme mbushej plot një vit nga vdekja e nënës së tij. Pak minuta më vonë, pasi kishte hyrë në banesë ai ishte parë të dilte në ballkon dhe të hidhej që andej. Duke rënë trupi i tij ishte përplasur me antenën e televizorit, pjesë të së cilës i kishte thyer dhe rrëzuar përtokë. Përplasja në tokë kishte qenë fatale për të edhe sepse u dërgua në spital. Brenda pak çastesh 31-vjeçari ka ndërruar jetë, duke bërë që ndërhyrja e mjekëve të ishte e tepërt. Pas kësaj trupi i tij i është nënshtruar autopsisë për të përcaktuar shkaqet e vdekjes. Paraprakisht mendohet se vdekja i ka ardhur nga dëmtime të shumta në organizëm si pasojë e përplasjes në asfalt, ndërsa plagë të jashtme në trupin e tij ekspertët kanë vërejtur shumë pak. Po kështu edhe në vendngjarje janë gjetur pak gjurmë gjaku. Ndërkohë të shpërndara rreth vendit ku është përplasur i riu janë gjetur mjaft copa nga antena që kishte thyer ai gjatë rënies.
Depresioni
Fqinjët e 31-vjeçarit, i cili kishte pak vite që jetonte me familjen në katin e gjashtë të një pallati të ri në lagjen “1 Maji”, pohojnë se ai kishte tentuar edhe katër muaj më parë të kryente vetëvrasje, pasi ishte kthyer nga varrezat ku kishte vajtuar për nënën. Sipas tyre, që nga koha kur i kishte vdekur e ëma 31-vjeçari kishte përjetuar depresion të thellë, ndërsa shpeshherë ata dhe të afërmit e kishin këshilluar të mos shkonte në varreza. Por, sipas tyre, ai kishte vazhduar të shkonte në varreza sërish, madje kalonte shumë orë në to, duke vajtuar te varri i nënës. Fqinjët pohojnë se kishte raste kur Dardha qëndronte shumë orë apo edhe gjithë ditën pranë varrit së të ëmës.        fa.ma.

Dardha piu helm katër muaj më parë

TIRANE – Sipas policisë së Tiranës, i riu Leonard Dardha, i cili i dha fund jetës në mënyrë tragjike duke u hedhur nga ballkoni i katit të gjashtë të pallatit ku jetonte, kishte tentuar edhe katër muaj më parë të vetëvritej. Burime nga blutë e kryeqytetit dhe fqinjët e 31-vjeçarit pohojnë se ai kishte gëlltitur një sasi helmi, ndërsa ndodhej në banesë dhe ishte dërguar prej familjarëve në spital. Falë ndërhyrjes së mjekëve ai i kishte shpëtuar vdekjes, ndërsa shkaku i tentativës së vetëflijimit ishte depresioni pas vdekjes së nënës. Që nga ajo kohë, fqinjët e tij pohojnë se 31-vjeçari ishte këshilluar shpeshherë nga ata dhe të afërmit për të mos shkuar shpeshherë në varreza, pasi kjo i shkaktonte depresionin e rëndë nervor.                                            f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›