Rruga e varrezave, halli i 20 mijë banorëve
DURRES - Më shumë se 20 mijë banorë të Durrësit nuk kanë një rrugë të denjë për të shkuar deri në shtëpi. "Rruga e mundimeve", e tillë konsiderohet nga banorët e Spitallës dhe Porto-Romanos rruga nga varrezat e vjetra deri tek ato të reja të Durrësit. Pellgjet e ujit kanë mbushur gropat dhe ata që e vuajnë më shumë këtë realitet janë shoferët e automjeteve. Ata një herë në muaj i dërgojnë makinat e tyre në servis për pjesë të reja këmbimi. Këtu situata është e njëjtë, si në dimër ashtu edhe në verë. Kalimtarët, por edhe motoçiklistët e përshkojnë rrugën me ankthin se ndonjë autoveturë apo kamion i spërkat me pellgjet e ujit, që ndodhen në çdo anë të rrugës. Pavarësisht se ky segment rrugor ndodhet brenda vijës së verdhë të qytetit, ai është fytyra më e shëmtuar e Durrësit. Kjo është një zonë e mbipopulluar vitet e fundit. Aty gjenden dy shkolla 9-vjeçare me një total prej 1 200 nxënësish, por edhe fëmijëve u duhet të kapërcejnë çdo ditë pellgjet për të kapur orën e mësimit. Për më tepër kjo është edhe rruga e dhimbjes shpirtërore, ku durrsakëve u jepet lamtumira e fundit. Vetëm dy kilometra rrugë ndan varrezat e vjetra nga ato të rejat, por gjendja e saj është shumë e rënduar. Pavarësisht se Bashkia ka kryer disa investime në rrugët periferike, përsëri Spitalla dhe Porto-Romano janë lënë jashtë vëmendjes në buxhetin e vitit 2009. Këtu lipset ndërtimi jo vetëm i rrugëve, por edhe i sistemit kullues, trotuareve dhe mbi të gjitha shtrirja e tubacioneve për ujin e pijshëm, pasi 20 mijë banorë e sigurojnë atë falë çezmave publike. Deri dy dekada më parë në kohën e "N.B. Spitallës", ky ishte një ndër segmentet rrugore më të bukura të Durrësit. Në të dyja anët e tij kishte gjelbërim, ndërsa tani ai është shpërfytyruar plotësisht. o.u