E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurthi, Enver Hoxha kritikoi Stalinin ditën e parë të Konferencës së Tiranës në ‘56

 

Ferdinand Dervishi

Kaptuar vitin e largët 1956, tashmë ka rrjedhur shumë kohë, që gjithsesi nuk parashikon pamundësinë që historia e re e shqiptarëve të mbushet me të gjithë spektrin e ngjyrave. Për më tepër një pjesë e protagonistëve të këtyre ngjarjeve të shkuara në moshë, janë ende gjallë dhe në disa raste ende të parehabilituar, qoftë moralisht.
Shumëkush përmes shembujve mund ta ketë kuptuar se si ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha, gjatë gjithë kohës së mbretërimit u kujdes më shumë se gjithçka që të mos humbiste pushtetin e tij personal. Se vrau e preu që të gjithë miqtë e shokët e vet që i dolën përkundër, qoftë një sekondë, vetëm e vetëm që ky pushtet të mos i rrezikohej. Madje për të zbuluar kundërshtarët, apo ata që mendonin ndryshe, me qëllim që t’i nxirrte jashtë loje, ai ka përdorur me sukses edhe gracka, që për çudi ende nuk njihen nga historia. Një shembull që ilustron këtë mënyrë veprimi të tij, nën dritën e fakteve të reja, është edhe Konferenca e Komitetit të Partisë së Tiranës, e mbajtur në prill të vitit 1956. Një moment i vështirë për mbijetesën e Enver Hoxhës dhe kastës më të afërt të tij në udhëheqjen e Partisë së Punës, që e detyroi të linte me urgjencë pushimet në Vlorë për tu rikthyer e marrë frenat e zhvillimeve në duar. Ç’kishte ndodhur? Nën dritën e ideve të Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (mbajtur në shkurt 1956), të atyre ideve që varrosën përgjithmonë kultin e Josif Stalinit dhe të gjitha metodat e dhunshme të mbajtjes së pushtetit prej tij, një numër i konsiderueshëm anëtarësh të Konferencës së Tiranës me shumë forcë kërkuan katarsis, pra rishikim të gjithë vijës së Partisë së Punës së Shqipërisë. U kërkua që në Parti të rivendosej demokracia e brendshme, të rehabilitoheshin shokët e vrarë e të burgosur në sajë të vijës së vjetër staliniste. Të njëjtët kritikuan burokracinë dhe konservatorizmin, vendimet ekstreme ndaj atyre që mendonin ndryshe, privilegjet e postit, familjaritetin partiak, diferencën e rrogave dhe më të guximshmit shkuan deri te përmendja e varfërisë së klasës punëtore e fshatarësisë. Situata agravohet aq shumë, saqë Beqir Balluku, i deleguari i Komitetit Qendror në Konferencë, mbetet pa gojë, pa ditur nga t’ia mbajë bashkë me të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
Efekti “domino”
Po si u krijua një situatë e tillë? A kishin fuqi inkurajuesit e një linje të re në gjirin e Partisë së Punës të dilnin kundër Enver Hoxhës? Kjo vlen të diskutohet. Pas përhapjes së ideve të Kongresit të 20 të PK të BS, situata e re, në formën e një reaksioni zinxhir, kishte depërtuar në pjesën kryesore të vendeve të ish-Bllokut të Lindjes. Kulti i individit ishte goditur, shumë emrave të mëdhenj që drejtonin këto shtete, të cilët dikur ishin miq të Stalinit, po u errësohej karriera, ndërkohë që nga ana tjetër, të persekutuarit po rifitonin pozitat. Rasti më flagrant u shënua në qershor 1956, kur ish-kreu i Partisë së Punëtorëve të Bashkuar polakë, Vladislav Gomulka, i burgosur nga Stalini, u rehabilitua dhe u vendos sërish në postin e Sekretarit të Parë të Partisë. Pra, ky ishte efekti i ideve të Kongresit të 20, ide që ideatori i tyre, Nikita Hrushov, thuhet se ia rekomandoi edhe Enver Hoxhës. Por ky i fundit u kujdes që impakti në linjat e Partisë së Punës së Shqipërisë të ishte sa më i vogël. Kaq ishte rezultati real. Në pamje të parë duket se Enver Hoxha e kishte kapur që në ajër pasojën e një revolucioni të tillë. E një revolucioni që nëse lihej të merrte frymë, do të kishte atë vetë si objektin të parë të pushkatimit politik. Por edhe pse linja e vjetër e Stalinit nuk u godit, edhe pse të tjera ide të Kongresit të 20 të PK të BS nuk gjetën zbatim në terrenin shqiptar, pati gjithsesi një grup drejtuesish të lartë partiakë, kokat e të cilëve u prenë pikërisht për të neutralizuar përhapjen e këtyre ideve. “Mëkatarët” e radhës u peshkuan në Konferencën e Tiranës dhe ishin që të gjithë ata që tentuan me anë të fjalimeve të tyre të kërkonin zbatimin e këtyre ideve antistaliniste të Hrushovit.      
Shkrimi-grackë
“Enveri na futi në grackë me një shkrim të tijin të publikuar në faqen e parë të “Zërit i Popullit””. Këtë pohim e bën Ihsan Budo, pikërisht një nga viktimat e Konferencës së Tiranës. Pra, sipas pretendimit të tij, më 14 prill 1956, pikërisht në ditën e nisjes së punimeve të Konferencës së Tiranës, me dorën e vet Enver Hoxha ka botuar një shkrim-grackë në faqen e parë të gazetës së Partisë. Po sipas Budos, me këtë shkrim, që ishte një reflektim ndaj ideve të Kongresit të 20 të PK të BS, Enver Hoxha ishte në të njëjtën linjë, pra ai sulmonte krejt hapur idhullin e tij, Josif Stalinin si dhe kultin e tij të individit. “Pasi lexuam këtë shkrim, kujtuam se edhe udhëheqësi dëshironte që në Partinë tonë të zbatoheshin idetë antistaliniste të Hrushovit, por këtu ramë në grackë”, shpjegon Ihsan Budo me bindjen e një njeriu që i ka sjellë e përcjellë këto llogari në mendjen e vet me qindra–mijëra herë përgjatë 35 viteve internim të familjes së tij.
Në Bibliotekën Kombëtare mund ta gjesh pa u lodhur shumë këtë provë. Është pikërisht gazeta “Zëri i Popullit” e datës 14 prill 1956 (e shtunë) që ka për kryeartikull në faqen e parë shkrimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Enver Hoxha. Shkrimi në pesë kolona shtrihet pothuaj në krejt faqen e parë me titullin e frymëzuar pikërisht nga idetë e Kongresit të 20: “Marksizëm-Leninizmi mëson se populli është krijues i historisë”. Dhe në këtë shkrim, që do të lexohej nga delegatët e Konferencës së Tiranës në ditën e parë të startit të saj, Enver Hoxha e bën copë-copë me dorën e vet Stalinin e madh, të cilit i faturon “gabime që i kushtuan shumë popullit sovjetik”. Pra, Enver Hoxha siluroi me anë të medias pikërisht mikun dhe njëkohësisht udhërrëfyesin e tij të vjetër, të njëjtin që një ditë më pas do ta mbronte, të njëjtin që falë kësaj mburoje do të largohej nga fushëpamja e shqiptarëve, disa dhjetëravjeçarë më vonë, më 1990. A ishte kjo një grackë edhe pse dha pikërisht rezultatet e një ndërmarrjeje për këtë qëllim? Pra shkurt, u joshën të pakënaqurit të villnin kundër Stalinit me qëllim që të mësohej se cilët ishin, që më pas të listoheshin dhe të goditeshin. Ihsan Budo, ish-zv/ministër dhe njëkohësisht viktimë e kësaj konference, është i bindur për këtë version. Apo mos Enver Hoxha thjesht e bëri këtë shkrim edhe ai i ndikuar nga idetë e Kongresit të 20, por kur pa se situata po i dilte nga duart, reagoi fuqishëm duke kthyer fletë? Nisur nga faktet e njohura, ky version duket më pak i besueshëm. Pasi Enver Hoxha në të njëjtën kohë që hidhte në letër shkrimin e tij për “Zërin e Popullit”, me anë të së cilit nxinte figurën e Stalinit, krejt të tjera udhëzime jepte për Fiqerete Shehun, që do të lexonte raportin e hapjes së Konferencës. Një raport, që sipas dëshmitarëve nuk thoshte asnjë fjalë për Stalinin, madje haptazi kundërshtonte idetë e Hrushovit dhe të Kongresit të 20. Në të njëjtën linjë ishte vendosur edhe Beqir Balluku, i deleguari i Komitetit Qendror, të cilit përkundër udhëzimeve të marra, i doli situata nga duart, kur një numër diskutuesish siluruan jo vetëm Stalinin, por edhe krejt vijën e deriatëhershme të ndjekur nga lidershipi i Partisë së Punës.

Hoxha: Gabimet e Stalinit i kushtuan popullit 

Ferdinand Dervishi

“Stalini bëri  gabime që i kushtuan shumë popullit sovjetik dhe çështjes së socializmit...” Edhe pse duket e pabesueshme, këto fjalë kundër idhullit të vet të deklaruar, i ka shkruar, e zezë mbi të bardhë, në vitin 1956, vetë Enver Hoxha.  Jo sepse e ndiente, jo se dëshironte që edhe në Shqipëri, nën ndikimin e ideve të Kongresit të 20-të, të ndodhte pastrimi i Partisë së Punës nga mëkatet apo mëkatarët e linjës së fortë staliniste, por sepse donte të testonte, të zbulonte, se cilët do të ishin ata që do ta mbështesnin të parët duke provokuar zbulimin e më të pakënaqurve ndaj vijës së ndjekur prej tij deri në këtë periudhë. Që më pas t’i shkonte që të gjithë në tehun e thikës, duke bërë kështu edhe pastrimin e radhës ndër mbështetësit e tij më të ngushtë. Duket Enver Hoxha e kishte nuhatur në kohë se ndryshimi i kursit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në Kongresin e 20 të saj, nuk ishte vetëm një furtunë që pritej, apo ishte llogaritur të mbetej brenda kufijve të këtij shteti të madh. Pra, ndryshimi nuk parashikonte vetëm dënimin e veprimeve ekstreme të Stalinit dhe të kultit të tij të individit. Pasi edhe vetë ideatorët e këtyre ideve të guximshme, të kryesuar nga Nikita Hrushovi, shefi i ri i PK të BS, nuk e konsideronin këtë furtunë të plotë pa tundur edhe oborrin e pasmë, që ishin vendet aleate të bllokut komunist. Ideja e tyre ishte që edhe lidershipi komunist në këto shtete të formatohej sipas frymës së re të iniciuar nga Moska. Kështu, ardhur në Shqipëri, kjo rrymë e re parashikohej të rishikonte gjithë linjën e fortë të krerëve të Partisë së Punës, të rishikonte dënimet ekstreme etj. Pra, nëse një linjë e tillë do të gjente zbatim në terrenin politik shqiptar, shpejt gishtat tregues do të drejtoheshin tek fajtorët, në krye të së cilëve qëndronte vetë udhëheqësi, Enver Hoxha. Por përgjatë testimit të parë të këtyre ideve të Kongresit të 20 të PK të BS në Konferencën e Tiranës, Enver Hoxha jo vetëm e ka pasur mendjen që në asnjë rast ato të mos gjenin terren, por është kujdesur që të rrezikojë dhe të testojë se cilët do të ishin më të pakënaqurit, të cilët më pas ti flakte tej, ose tu priste kokat. Pasi kështu mund të largonte nga strukturat më të larta drejtuese të Partisë të gjithë ata që nuk jepnin garanci për besnikëri. Kështu krejt papritur, në prag të fillimit të Konferencës, kreu i Partisë së Punës i shfaq të ndryshme idetë e tij në gazetën “Zëri i Popullit”. Ishin ide që publikisht i vinin për shtat linjës antistaliniste të Hrushovit. Pikërisht këto ide funksionuan si një grackë, duke frymëzuar një pjesë të anëtarëve të Konferencës të akuzonin veprime ekstreme e të dhunshme të krerëve të Partisë së Punës dhe madje të kërkonin gjetjen e përgjegjësve.
“Kemi dhënë dënime të fryra” 
Pas hyrjes që flet për vendimet e rëndësishme të Kongresit të 20 të PK të BS, Enver Hoxha në artikullin e vet, vendoset fort kundër linjës së Stalinit, pa hedhur poshtë asnjë nga definicionet e Hrushovit. Madje hidhet drejt e në temë duke aprovuar dënimin e kultit të Stalinit. “PK e BS e dënoi me të drejtë kultin e individit të krijuar për J.V. Stalinin në vitet e fundit të aktivitetit e të jetës së tij dhe që i solli kaq dëme Bashkimit Sovjetik... Marksizëm-Leninizmi nuk e mohon rolin e individëve në histori... por kur individët e shquar, duke e vënë veten mbi masat, fillojnë e shkëputen prej tyre, atëherë krijohen kushte për gabime që dëmtojnë rëndë masat”, shkruan Enver Hoxha. Dhe më tej gjuha kundër ish-mikut të tij ashpërsohet: “Duhet thënë se J.V. Stalini në një kohë, pasi PK e BS e populli sovjetik arritën fitore të mëdha, që çuan në triumfin e socializmit, filloi ta vinte veten mbi partinë e popullin, të largohej nga masat dhe kështu u bënë gabime, që i kushtuan shumë popullit sovjetik dhe çështjes së socializmit”. Por Enver Hoxha nuk mjaftohet me kaq. Ai në mënyrë krejt të rrezikshme për veten e sjell linjën e Kongresit të 20 në terrenin shqiptar, madje i fton të pakënaqurit të flasin pa frikë: “Në dënimin që Kongresi i 20 i bëri i kultit të individit, në kritikën e hapur dhe të guximshme që u bëri dëmeve të tij, PK e BS dhe të gjitha partitë komuniste e punëtore të së gjitha vendeve nxjerrin konkluzione me rëndësi praktike... për Partinë e vendin tonë ato (këto konkluzione të Kongresit të 20. red.) janë një ndihmë shumë e madhe”. Në të njëjtën linjë Enver Hoxha pranon edhe se në të kaluarën, në kuadër të rishikimit të veprimeve të Partisë nën dritën e Kongresit të 20, janë bërë gabime. “Në mjaft raste janë dhënë dënime me akuza të fryra, sidomos në periudhën deri në Kongresin e Parë të Partisë sonë...”, shkruan Enver Hoxha duke shtuar se “Partia i ka dënuar përpjekjet për të vënë Sigurimin e Shtetit mbi Partinë, për të vendosur metoda policeske në parti dhe për të shkelur të drejtat e qytetarëve duke kryer arbitraritete, persekutime e dënime pavend”.      
Peshqit në rrjetë
Pikërisht pasi lexojnë këtë shkrim të Enver Hoxhës të botuar në “Zëri i Popullit”, një numër delegatësh të Konferencës së Tiranës shpërthyen në akuza për mungesën e demokracisë në radhët e krerëve më të lartë të Partisë së Punës, u bënë kërkesa për rishikimin e gjithë linjës së saj, për rishikimin e vendime të shpejtuara dhe të paarsyetuara ndaj kolegëve të akuzuar në bazë të provave të pamjaftueshme etj. Dhe sipas dëshmitarëve të Konferencës, gjithçka ishte e provokuar nga vetë Enver Hoxha me anë të shkrimit në “Zëri i Popullit”. Më tej, vazhdimi është i njohur. Situata konsiderohet si e dalë jashtë kontrollit, Enver Hoxha kthehet me urgjencë nga Vlora, ku ishte me pushime dhe kryengritësit vihen me shpatulla për muri po në të njëjtën Konferencë. Si rezultat pati një valë dënimesh me burg dhe kryesisht me internim të së konsideruarve ideatorë dhe kryengritës. Për fat të mirë, nën të njëjtën linjë të ideve të Kongresit të 20, mbase si në asnjë rast tjetër të ngjashëm, Enver Hoxha nuk urdhëroi ekzekutime. Për çudi shkrimi i Enver Hoxhës në faqen e parë të “Zërit të Popullit” i datës 14 prill 1956 nuk u përmend më kurrë nga askush. Po të shfletosh të njëjtën gazetë, edhe në datat e mëvonshme, deri në fund të së njëjtit muaj, nuk shkruhet më asnjë fjalë për Konferencën e Tiranës, problemet e saj, po kështu asnjë fjalë për udhëzimet apo linjën e re të Kongresit të 20. Me kalimin e kohës dara u shtrëngua, sipas “udhëzimeve të Partisë”, Kongresi i 20-të dhe idetë e tij u lanë në harresë, ndërsa Stalini rifitoi pozitat e dëmtuara. Dhe kuptohet që askush, sa ishte Enver Hoxha gjallë, nuk e kujtoi, nuk e përmendi, këtë shkrim që vinte shumë në pikëpyetje palëkundshmërinë e vijës së ndjekur prej kreut të Partisë së Punës ndaj Stalinit dhe figurës së tij.    

neser do te lexoni

Rrëfimi i Ihsan Budos për Konferencën e Tiranës.
“Atmosfera e krijuar në sallë dhe përmbysja e situatës nga delegatët që kërkonin katarsis”
“Kthimi i Enver Hoxhës dhe manovrat e tij për të marrë në duar situatën”
“Strategjia e Enver Hoxhës për të goditur ‘rebelët’”
“Burgu dhe internimet. Si zbulova se në Konferencë gardistë të armatosur kishin urdhër të na vrisnin nëse u bëhej shenjë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›