“Në Gërdec pinin cigare mes predhave e barutit”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme administroi në dosjen hetimore të tragjedisë së Gërdecit transkriptin e një përgjimi telefonik, që tregon se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë në dijeni të shkeljes së rregullave të sigurisë gjatë çmontimit të municioneve. Ministria i ka mohuar raportet apo informacionet për rrezikun e Gërdecit, por përgjimi bën fjalë për një ish-drejtor në dikasterin e Mbrojtjes, i cili edhe më parë është gjetur i lidhur me çështjen e tragjedisë. Ai ka propozuar dy projektvendime tek ish-ministri Mediu, të cilat kishin të bënin me ngritjen e punishtes së Gërdecit dhe formulimin e kontratës me subjektet private për çmontimin e municioneve në këtë rajon. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, përgjimi telefonik tashmë i transkriptuar në të gjithë përmbajtjen e tij është tërhequr nga Prokuroria e Tiranës në Prokurorinë e Përgjithshme. Me vendim nga grupi i hetimit të tragjedisë, përgjimi është administruar në dosjen hetimore të hapur pas ngjarjes së Gërdecit. Sipas burimeve zyrtare, biseda e përgjuar mësohet se ka efektin e provës materiale, pasi është bërë me autorizim nga Gjykata e Tiranës, siç e kërkon edhe ligji procedural penal. Ajo duket se përbën një provë tjetër të fortë për “shkeljen e rregullave të sigurisë”, pista zyrtare e ngritur nga Prokuroria si shkak për tragjedinë që shkaktoi 26 të vdekur e 300 të plagosur.
Përgjimi
Madani-Hodo
Dy protagonistët e përgjimit telefonik janë kryetari i Komisionit të Dhënies së Licencave për Përdorimin Civil të Lëndëve Plasëse, Shkëlzen Madani dhe pronari i një kompanie që vepronte në këtë fushë, Ferdinand Hodo, ortak dhe administrator në subjektin “Geoconsult”. “Bëhet fjalë për një bisedë telefonike të zhvilluar në vitin 2008, mes Shkëlzen Madanit dhe Ferdinand Hodos, të dy të arrestuar vitin që shkoi për korrupsion me lejet e importit të lëndëve plasëse. Gjatë hetimit ndaj tyre për këto vepra penale, ata janë mbajtur në përgjim dhe Ferdinand Hodo është interceptuar teksa i pohon ish-drejtorit të Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, se dy shtetas serbë që vizituan punishten e çmontimit në Gërdec, ishin të shqetësuar nga ato që kishin parë aty”, thanë burimet. Sipas tyre, dy serbët që vizituan Gërdecin ishin shprehur se, “punonjës që merreshin me çmontimin e predhave dhe disa persona të tjerë, ishin parë duke pirë cigare në ambiente ku fare pranë ndodheshin sasi të mëdha baruti dhe predhash luftarake”.
Dy serbë në Gërdec
Ngjarja e 15 marsit 2008 në Gërdec e ktheu këtë rajon në qendër të vëmendjes, ndërsa fillimisht, kur pista e aktit terrorist qëndronte ende pati dyshime se aty mund të kishin vepruar mekanizma të shërbimeve të huaja. Megjithatë prania e dy serbëve në Gërdec, për të cilët Ferdinand Hodo flet në bisedën e përgjuar mes tij dhe Shkëlzen Madanit, duket se është një histori pa konspiracion, madje një vizitë e thjeshtë biznesi. Shkëlzen Madani dhe Ferdinand Hodo kishin hyrë në kontakt me dy biznesmenët serbë, të cilët ishin të interesuar për blerje baruti dhe produktesh të tjera të dala nga çmontimi i municioneve. Duke qenë se Shqipëria për shkak të kushteve të vendosura ndaj saj për pranimin në NATO, po zhvillonte një proces gjigand të asgjësimit të municioneve të vjetra, dy biznesmenët serbë shfaqën interes ndërsa hynë në kontakt me Shkëlzen Madanin dhe më pas edhe me Ferdinand Hodon. Biznesmenët serbë erdhën në Shqipëri dhe për të zhvilluar më tej planet e tyre të biznesit vendosën të zhvillojnë një vizitë informuese në Gërdec, pasi mësuan prej Shkëlzen Madanit dhe Ferdinand Hodos, se aty mund të blinin barut dhe materiale të tjera të dala nga demontimi. Të shoqëruar nga Ferdinand Hodo, dy tregtarët serbë shkojnë në Gërdec dhe shikojnë nga afër gjithçka ndodhte aty. Por një ditë më pas, ata vendosin të ndërpresin çdo marrëdhënie, madje largohen nga Shqipëria duke i pohuar shoqëruesit të tyre Ferdinand Hodo, se ajo që kishin parë në punishten e Gërdecit ishte shqetësuese. Ndërkohë, zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, komunikon më pas me Ferdinand Hodon dhe e pyet për ecurinë e vizitës së dy biznesmenëve serbë. Hodo i përgjigjet se ata janë tërhequr, pasi gjatë vizitës në Gërdec kishin parë se aty mungonin kushtet e sigurisë, madje disa persona pinin cigare brenda ambienteve të mbushura me predha dhe me barut të dalë nga çmontimi.
Dokumenti: Ja vizita e serbëve në Gërdec
TIRANE – Përveç dokumentit zyrtar në të cilin oficerët e hetimit kanë zbardhur transkriptet e bisedave të përgjuara mes Ferdinand Hodos dhe Shkëlzen Madanit, edhe një tjetër dokument zyrtar i siguruar nga gazeta “Panorama” konfirmon vizitën e shtetasve serbë në Gërdec për interesa biznesi. Vizita është kryer para se të ndodhte tragjedia, ndërsa mbi këtë fakt hedh dritë vendimi i Gjykatës së Lartë për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Ferdinand Hodo. “Nga aktet e administruara në gjykim, ka rezultuar e provuar se personi nën hetim Ferdinand Hodo është ortak dhe administrator i shoqërisë “Geokonsult” sh.p.k me qendër në Elbasan. Në vitin 2007 dhe në vazhdim, kjo shoqëri ka filluar të operojë në tregun shqiptar të tregtimit të lëndëve plasëse, kohë që përkon me qenien e personit tjetër nën hetim, Shkëlzen Madani, si anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit të Dhënies së Lejeve të Lëndëve Plasëse për Përdorim Civil pranë Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë me nr.155, viti 2008. Në të njëjtin vendim hidhet dritë mbi episodin e zbuluar nga Prokuroria lidhur me vizitën e shtetasve serbë në Gërdec dhe më pas komunikimin e zhvilluar mes Ferdinand Hodos dhe Shkëlzen Madanit. “Po ashtu pranohet se në dy raste, personi nën hetim Ferdinand Hodo ka krijuar takime me disa shtetas serbë dhe me një shtetas spanjoll, të cilët ishin të interesuar për blerjen e një materiali të dalë nga demontimi i municioneve, demontim që bëhej nga shtetasi Mihal Delijorgji në Gërdec të Vorës dhe që mendohet të jetë T.N.T. dhe për bisedat e zhvilluara mes tyre ka vënë në dijeni shtetasin Shkëlzen Madani”, thuhet shprehimisht në vendimin e Gjykatës së Lartë me nr.155.
Madani autor i urdhrit 550, zgjodhi Gërdecin dhe ortakun e Delijorgjit
TIRANE – Shkëlzen Madani, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, u arrestua më 3 maj 2008 me akuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria për abuzime dhe korrupsion me dhënien e lejeve dhe licencave të importit për lëndët plasëse. Mirëpo Prokuroria edhe më parë ishte përballur me emrin e Shkëlzen Madanit për shkak të detyrës që ai kishte kryer në Ministrinë e Mbrojtjes. Në tërësinë e dokumenteve që Prokuroria sekuestroi në Ministrinë e Mbrojtjes pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec, ndodhej edhe urdhri nr.550, datë 25 prill 2007 i firmosur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ky urdhër kishte në përbërje të tij edhe projekt-urdhrin që ishte çuar në zyrën e ministrit dhe më pas ishte miratuar prej tij. Projekti mbante firmën e Shkëlzen Madanit, i cili kishte formuluar dokumentin në cilësinë e drejtorit të Instalimeve dhe Menaxhimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Urdhri në fjalë është konsideruar si një dokument me shkelje për shkak se i propozoi ministrit të Mbrojtjes që çmontimi të bëhej në Gërdec dhe që të përzgjidhte në formë të drejtpërdrejtë dhe pa konkurrim kompaninë “Southern Ammunition Company”, e cila në fakt mori të drejtën e kontratës së çmontimit të fishekëve në Gërdec dhe më pas vazhdoi me predhat e rënda, duke ia kaluar të drejtën e zbatimit të kontratës në mënyrë “ilegale” biznesmenit Mihal Delijorgji, i arrestuar si njëri nga shkaktarët e tragjedisë së 15 marsit 2008. tr.so