Kërcënon Ujësjellësi: Të paguhen borxhet pas 2006, ose penalizim
FIER - Më shumë se 3.7 milionë euro janë borxhet e krijuara nder vite pranë Drejtorisë së Ujësjellësit në Fier. Debitori më i madh është TEC-i i Fierit me vlerën e rreth 1.7 milionë eurove, ndërsa rreth 2 milionë euro i krijohej ndërmarrjes debit vetëm nga abonentët familjarë. Ndërsa për TEC-in drejtues të ujësjellësit nuk deklarohen për shkak të mbylljes së tij, për abonentët familjarë duket se do të ketë masa të rënda deri në sanksione ligjore të rrepta. Drejtori i Ujësjellës-kanalizimeve në Fier, Agim Plepi, deklaroi se së bashku me Këshillin Mbikëqyrës do të hidhen hapa konkretë. "Nuk mund të ecë një ndërmarrje pa pasur një performancë të mirë për të ardhmen. Debiti është i shpërndarë në vite, në abonentë familjarë dhe subjekte. Ne kemi nxjerrë një vendim të parapëlqyer edhe nga Këshilli Mbikëqyrës, që të gjitha borxhet që nga viti 2006 duhet të paguhen menjëherë. Ndërkohë për borxhet para këtij viti, qytetarët do të bëjnë një kontratë me ne, që ta njohin si debi dhe të deklarojnë se do të presin një urdhër të dytë, nëse do të paguhet dhe kur. Nëse kjo nuk do të respektohet, atëherë do të ketë sanksione ligjore për abonentët", thotë Plepi. Por, përplasjet e ujësjellësit nuk kanë munguar asnjëherë me institucionet e tjera vendore. Kjo për shkak se të gjithë ata i kujtojnë njëra-tjetrës borxhet që kanë, por asnjë prej tyre nuk e merr mundimin që t'i paguajë. Rasti më tipik është ai mes elektrikut dhe ujësjellësit, ku OSSH akuzon ujësjellësin se nuk ka qenë i rregullt me faturat, ndërsa ujësjellësi deklaron se do t'i ndërpresë ujin. Që prej 18 vitesh e deri sot, ende nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre. m.r