Kart-kreditet e klonuara, hakersat shqiptarë vjedhin bankat në Itali
TIRANE - Hakersat shqiptarë vjedhin llogari bankare në Itlai. Alarmi vjen nga prokuroria e zonës së Torre Annunziata të Italisë, e cila ka nisur një hetim në kryeqytetin shqiptar, ku mendohet se jetojnë përfituesit nga vjedhjet. Me anë të një letërporosie, organi i akuzës i Torre Annunziata, (krahinë në Napoli), ka vënë në lëvizje drejtësinë shqiptare, gjykatën dhe prokurorinë e kryeqytetit. Me anë të një vendimi, Gjykata e Tiranës ka lejuar ekzekutimin nga ana e prokurorisë të letërporosisë italiane, e cila ka të bëjë me: gjetjen e ID-ve dhe numrave të telefonave të lidhur me to, nga të cilat janë kryer veprimet financiare; këqyrjen e hyrje-daljeve të poseduesve të numrave ID dhe të numrave telefonike; kryerjen e kontrollit të banesave të tyre; pyetjen e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit; si dhe çdo veprim tjetër që paraqitet i nevojshëm. Kjo çështje ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë, kur mëngjesin e 24 qershorit 2007, në Komisariatin e policisë në Castellmare di Stabia, Itali, shtetasja Massa Giovanna (Antonio), ka denoncuar faktin që në llogarinë e kartës së kreditit personale tip “American Express” ka konstatuar shpenzime të cilat nuk ishin kryer prej saj. Nga hetimet e kryera prej autoriteteve italiane, rezulton se nga llogaria e saj janë kryer disa pagesa mashtruese, duke përdorur lidhjet në internet. Është konstatuar se adresat IP me të cilat janë realizuar pagesat u përkasin subjekteve shqiptare, çka ka bërë që të zhvendosen hetimet në territorin shqiptar. Po kështu ka dalë gjatë hetimeve se disa blerje janë bërë në emër të një biznesmeni shqiptar me banim në Romë, i cili veç të tjerash ka përfituar edhe pagesën e biletave të udhëtimit me avion ose traget. Madje në disa raste biznesmeni ka paguar edhe biletën e makinës së tij, të cilën e ka sjellë nga Italia dhe e ka marrë sërish kur është kthyer. fa.ma.