E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fundviti, fillon rritja e çmimeve

22/12/2004  Çmimet në treg kanë filluar të “rebelohen“ dhe duket se në dhjetë ditët e fundit të vitit, konsumatorët do të përballen me nivelin më të lartë të çmimit. Grupe të punës të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, kanë evidentuar këtë javë një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, sidomos atyre blegtorale. Rritja është konsideruar e pajustifikueshme, nisur dhe nga fakti që këto produkte nuk kanë patur kosto më të lartë prodhimi. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, çmimet e shitjes janë rritur me rreth 3% për produktet blegtorale, ndërkohë që 54% e prodhimeve bujqësore rezultojnë me rritje të çmimit të shitjes. “Periudha festive karakterizohet nga një rritje spekulative e çmimeve të shitjes së ushqimeve nga tregtarët, për shkak të rritjes së kërkesës së konsumatorëve”, bën të ditur Drejtoria e Ushqimit në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas tyre, organet e specializuara shtetërore ndjekin politika liberale, megjithatë specialistët e bujqësisë po bashkëpunojnë me organet tatimore, në mënyrë që të arrijnë të kontrollojnë çmimet në tregjet e pakicës dhe të sensibilizojnë tregtarët për të mos abuzuar në kurriz të kërkesave në rritje të konsumatorëve.

Ndërkaq produktet që rezultojnë me çmime të rritura në tregun bujqësor, janë mishi, i cili ka dhe rritjen më të ndjeshme me 30 për qind. Por nga ana tjetër, rritje çmimesh është vënë re dhe tek ushimet që nuk kanë manifestuar asnjë lloj rritjeje gjatë gjithë vitit si miell, oriz, vaj ulliri etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›