Pa drita për festa ata që nuk paguajnë
22/12/2004 Natën e fundvitit të gjithë ata që kanë neglizhuar të paguajnë faturën, ose dhe nuk kanë patur mundësi, do të penalizohen të gjithë njëlloj. KESH-i ka kërcënuar se nuk do të ketë drita për të gjithë ata banorë të Tiranës, që nuk janë treguar korrekt në pagimin e faturave. Për KESH-in penalizimi nuk do të jetë kolektiv, por grupet e punës të ngritura do të evidentojnë të gjithë banesat e konsumatorëve që nuk kanë paguar dritat dhe do t’u ndërpresin energjinë në mënyrë individuale. Eshtë hera e parë që KESH-i kërcënon me ndërprerje të energjisë elektrike në natën e festës vetëm për ata që nuk kanë paguar faturën, duke aplikuar në kryeqytet penalitetet e qyteteve që janë debitorë të mëdhenj në arkën e KESH-it. “Sot iu drejtohem të gjithë abonentëve familjarë apo privatë të vegjël, që, ndërkohë që po afrohet fundi i vitit, ata nuk po i afrohen sporteleve të energjisë elektrike”, ka deklaruar Demir Agastra, drejtor i zonës së shpërndarjes Tiranë. E vetmja masë që ka mundësi të marrë KESH-i kundër konsumatorëve të pabindur, është ndërprerja e dritave dhe duket se këtë ka menduar ta bëjë në natën e festës. “Ndërsa ne kemi marrë masa që t’ju sigurojmë një shërbim cilësor dhe korrekt, atyre që e paguajnë energjinë, u kujtoj debitorëve se do t’i lemë në errësirë edhe në ditët festive”, ka deklaruar Demir Agastra, drejtor i zonës së shpërndarjes Tiranë. Kështu, drejtori i Divizionit të Shpërndarjes, u ka kujtuar të gjithë konsumatorëve se nuk ka asnjë justifikim për të vonuar pagimin e faturave, pasi sportelet e KESH–it do të jenë të hapura gjatë gjithë muajit, deri më 30 dhjetor. “Sportelet e pagesave do të jenë të hapura edhe gjatë ditëve të pushimit”, thotë Agastra. KESH-i duket se nuk ka ndërmend të shpërndajë vetëm kërcënime për ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas drejtorit Agastra, janë krijuar rreth 60 grupe pune, të shpërndarë në të gjithë Tiranën, periferinë dhe zonën e fshatit, që bëjnë rreth 600 ndërprerje ditore tek abonentët familjarë dhe privatë të vegjël. Këto grupe do të jenë në punë dhe gjatë ditëve të fundit të vitit, për të kontrolluar dhe penalizuar të gjithë konsumatorët që nuk i janë bindur paralajmërimit. Kështu, sipas planit të punës, duket se askush nuk do t’i shpëtojë dot masave të KESH–it. Ndërkaq vetë KESH-i nuk duket aq korrekt në furnizimin me energji. Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, kanë ripërsëritur avazin e zakonshëm të ndërprerjes së dritave dhe konsumatorët nuk kanë se ku të ankohen ose të marrin masa, ashtu sikurse bën dhe KESH-i.