E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundviti, shqiptarët paguan më shtrenjtë ushqimet, naftën dhe gazin

11/01/2011  INSTAT: Në dhjetor inflacioni arriti në 3,4 për qind

Produktet ushqimore, por edhe nafta dhe gazi, kanë qenë mjaft të shtrenjta për xhepat e shqiptarëve. Ashtu si çdo vit, është vënë re një abuzim nga ana e tregtarëve, të cilët përfitojnë nga sezoni i festave të fundvitit për të rritur çmimet. Instituti i Statistikave ka bërë të ditur dje shifrat për muajin dhjetor, sipas të cilave ka rezultuar se norma vjetore e rritjes së çmimeve ishte 3.4 për qind. Gjatë muajit dhjetor çmimet e karburantit u shtrenjtuan dukshëm dhe konkretisht çmimi i naftës u rrit me 4.2 për qind, ndërsa çmimi i benzinës u rrit me 4.0 për qind. “Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit rezultoi 3.4 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind. Indeksi i grupit ‘ushqime dhe pije joalkoolike’ shënoi një rritje prej 4.6 për qind. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 27 për qind vërehet në grupin e zarzavateve. Gjatë muajit dhjetor çmimet kanë shënuar rritje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet: fruta me 3.8 për qind, vajrat dhe yndyrnat 2.7 për qind”, – deklaroi Hazbie Bunguri, përgjegjëse e sektorit të çmimeve në INSTAT. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, edhe çmimi i duhanit ka pësuar rritje, me 2.9 për qind si pjesë e grupit “pije alkoolike dhe duhan”, i cili ka shënuar një rritje prej 1.9 për qind. Specialistët e INSTAT-it bënë të ditur se edhe grupe si “veshje dhe këpucë”, apo “qira ujë lëndë djegëse dhe energji” kanë pësuar rritje. Te grupi i fundit veçohet rritja e çmimit të gazit të lëngshëm me 9.8 për qind. Gjithashtu, shqiptarët shpenzuan më shumë edhe për “transport”, indeksi i të cilit u rrit me 1.3 për qind. Por lajmi i keq është se inflacioni nuk pritet të shënojë ulje edhe gjatë këtij muaji dhe kjo për shkak të shtrenjtimit të disa produkteve si cigaret që do të ketë efekt direkt te xhepat e konsumatorëve.

3,4 për qind

Norma e inflacionit gjatë muajit dhjetor 2010 ishte 3,4 për qind, ndërsa një vit më parë kjo normë ishte 3,7 për qind.

4.6 për qind

Rritja në grupin e ushqimeve ishte 4.6 për qind dhe brenda këtij grupi, rritja më e madhe 27 për qind u shënua te zarzavatet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›