Kineastët e animacionit kujtojnë regjisorin Boris Ikonomi
Sot në mjediset e kinemasë “Millenium” në kryeqytet Shoqata e Animacionit Shqiptar do të organizojë një aktivitet përkujtimor për regjisorin e njohur që u nda nga jeta më 15 nëntor ’08, Boris Ikonomi. Me këtë rast do të projektohen në kinema për mëse një orë, shtatë nga 11 filmat, krijime të regjisorit të njohur të animacionit shqiptar. Kjo do të mundësohet falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror të Filmit me Shoqatën e Animacionit Shqiptar dhe familjes e artistit. Në këtë ceremoni që zhvillohet pikërisht në ditëlindjen e regjisorit, pritet të marrin pjesë figura të njohura të skenës dhe ekranit shqiptar; regjisorë, skenaristë, piktorë, intelektualë etj. Për të gjithë ata që nuk e njohin, regjisori Boris Ikonomi lindi në Tiranë më 16 prill 1956, ku më pas u diplomua në degën e grafikës në Akademinë e Arteve të Bukura (1979). Ao ka punuar si regjisor dhe piktor i filmit të animuar në Kinostudio nga viti ’79-’92, për të vijuar më pas si drejtor i Albafilmanimation deri më 1999-n. Filmat që mbajnë firmën e regjisorit të njohur janë “Agroni dhe nafta” 1980, “Puna është flori” 1981, “Zemërimi i shkronjave” 1981, “Ilira” 1983, “Nevoja të ndihmon” 1984, “Zëri i gjakut, zëri i tokës” 1985, “Merimanga dhe brumbulli” 1986, “Dy vëllezërit dhe ujku” 1987, “Mëndja, mëndje” 1988, “Kopshtari” 1990 dhe “Maratona e lavdisë“ 1992. Ndër filmat më të mirë të regjisorit Ikonomi mund të përmendim “Puna është flori”, e vitit 1981 me skenar të Luan Ramës, apo “Dy vëllezër dhe ujku”, me skenar të Vllasova Mustës, film që bën fjalë për dy vëllezër barinj, të cilët vrasin një ujk që desh ju hëngri një dele dhe festojnë me fshatin duke i therrur të gjitha delet. Kur ata e kuptojnë gabimin nuk mund të kthehen më mbrapa... Morali, fabula e përzgjedhur dhe realizimi grafik bëjnë që filmat e regjisorit Ikonomi të jenë të vlefshëm për publikun dhe sot e kësaj dite, pas 3 dekadash nga krijimi i tyre.
16 Prill 2009