Një rrugë në Nju Jork merr emrin e Nënë Terezës
Tashmë edhe komuniteti shqiptar në Nju Jork, më në fund do të ketë një simbol kombëtar në një nga rrugët më të “shkelura” të qytetit të Bronksit. Kjo pasi në lagjen e mbipopulluar me shqiptarë, një rrugë do të marrë emrin “Rruga e Nënë Terezës”. Një lajm i tillë, është bërë i ditur nga Këshilli Bashkiak, i qytetit të Nju Jorkut, vetëm pak ditë më parë. Kërkesa për emërimin e rrugës me emrin e shenjtores shqiptare është bërë kohë më parë nga antari i këshillit bashkiak, James Vaka, me iniciativën e Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, drejtuar nga presidenti Esad Rizai dhe prof. Haxhi Berisha. Aprovimi përfundimtar i kësaj kërkese ka ardhur në fillim të këtij muaji, koha kur këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut, votoi në unanimitet për ta aprovuar këtë kërkesë. Në dekleratën e shpërndarë nga Bashkia e Nju Jorkut, për median mes të tjerash thuhet se “Bashkia e qytetit të Nju Jorkut, me anë të një rezolute të sponsorizuar nga antari i këshillit bashkiak, James Vaça (D-Bronx), ka vendosur riemërtimin e një segmenti rruge në qytetin e Bronxit, me emrin e nobilistes shqiptare, bamirëses së njohur, Nëna Tereza. Vendosja e emrit “Mother Teresa” në rrugën Lydig Avenue kaloi pa shumë probleme pasi më 2 prill, me votim unanim, i gjithë Këshilli i Bashkisë së Nju Jorkut vendosi që rruga Lydig Avenue të ketë tabelën Mother Teresa. Gjithashtu, këshilli bashkiak i qytetit të Nju Jorkut, vendosi që të zhvillojë edhe një ceremoni dedikimi kushtuar emërimit të kësaj rruge, ceremoni, e cila do të zhvillohet gjatë verës në qoshen mes rrugve “Lydig Avenue” dhe “Hollanda Avenue”. Aty do të vendoset edhe një tabelë në shenjë nderi, e cila do të shënojë këtë rrugë me emrin e ri “Mother Teresa Way”.
16 Prill 2009