E Hënë, 2 Nëntor 2026

Funksionarët nuk do të lejohen të kenë aksione në firma private

16/03/2005  Ligjet miratojnë ndryshimet në variantin e paraqitur nga qeveria

Komisioni i Ligjeve ka ndryshuar dje propozimet e ekspertëve të qeverisë mbi projektligjin e konfliktit të interesave. Gjatë diskutimeve, deputetët kanë vendosur që t'i heqin të drejtën ministrave, deputetëve dhe të zgjedhurve lokalë për të pasur aksione në firma fitimprurëse. Gjatë debateve, deputetët e Komisionit të Ligjeve kanë theksuar se nuk është e drejtë që funksionarëve t'u lejohet që të drejtojnë firma private, pasi në këtë mënyrë do të marrin vendime, për përfitime personale. Ndërkohë, në draftin e qeverisë është pranuar që pushtetarëve t'u lejohet e drejta e aksioneve, por në një masë të kufizuar. Në ndryshimet e bëra, deputetët do të duhet të vendosin dhe rregullat se si duhet të veprojë një funksionar i shtetit kur është dhe aksioner në një firmë private. Për këtë është kërkuar që drejtimi i firmës t'i jepet një personi të tretë, ndërsa funksionarit do t'i hiqet e drejta që të marrë vendime, të cilat do të jenë në interes të një firme private. Gjithashtu, dje, deputetët kanë vendosur që familjarëve të funksionarëve, kur kanë firma private, të mos u lejohet që të lidhin kontrata me shtetin. Kjo do të sjellë eliminimin e konfliktit të interesave. Në draftin e qeverisë është parashikuar dhe shpërblimi i personave, që do të japin të dhëna mbi konfliktin e interesave të një funksionari të lartë të shtetit. Megjithatë, projektligji do të diskutohet dhe sot në sallat e komisioneve parlamentare dhe më pas do të kalojë për votim në seancën parlamentare. Sipas propozimeve të bëra, drafti do të hyjë në veprim vetëm për qeverinë e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›