E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërç ligjor për Budjon Meçen, shtyhet dy javë procesi "Hoxha"

Procesi ndaj katër ish-zyrtarëve të Shërbimit Informativ Kombëtar, që janë akuzuar për rrëmbimin dhe më pas torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, ka ngecur për shkak të një boshllëku ligjor. Një prej të pandehurve, Budjon Meçe, ndodhet në gjendje të rëndë në spital, në koma, dhe për rrjedhojë nuk mund të konfirmojë se ka marrë dijeni për nisjen e procesit. Ligji parashikon se në rastet kur personi është prezent, ai duhet të konfirmojë personalisht dijeninë për procesin, por asgjë nuk thuhet për rastet kur personi është i pavetëdijshëm, siç është edhe rasti i Meçes. Për këtë arsye, trupi gjykues është detyruar që ta shtyjë zhvillimin e seancës së ardhshme me dy javë, me shpresën se gjatë kësaj periudhe i pandehuri do të mund të përmirësohet, duke dalë nga gjendja e komës.

Seanca e djeshme e procesit ka nisur me praninë e dy të pandehurve, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, si dhe të avokatëve të tyre mbrojtës. Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, drejtuesi i trupit gjykues ka konstatuar se dy të pandehurit e tjerë, Ilir Kumbaro dhe Budjon Meçe, nuk ndodheshin në sallë. Sipas informacioneve të paraqitura gjykatës nga oficerët e policisë gjyqësore, rezultonte se Ilir Kumbaro është larguar prej disa vitesh nga Shqipëria dhe se banesa e tij është dhënë me qira. Ndërsa për Budjon Meçen, gjykatës, përveç raportit të oficerit të policisë gjyqësore se ai ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë, i kishte mbërritur edhe një tjetër raport nga mjeku përkatës. Të dyja këto materiale konfirmonin faktin se i pandehuri nuk është në gjendje për të marrë dijeni lidhur me nisjen e gjykimit ndaj tij.

Në këto kushte, prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që për Kumbaron të shpallet gjykimi në mungesë dhe të caktohet një avokat kryesisht nga gjykata, ndërsa për shkak të mungesës së Meçes kërkoi shtyrjen e seancës. Avokati Artan Kodheli, i pranishëm në seancë dhe i pajisur me prokurë nga familjarët e Meçes për ta përfaqësuar në proces, ka kërkuar nga gjykata që të njihet ligjërisht si avokat mbrojtës i të pandehurit. Kjo sipas tij do t‘i jepte edhe mundësinë për t‘u shprehur në seancë.

Pasi është tërhequr në dhomën e këshillimit, trupi gjykues ka shpallur vendimin e ndërmjetëm, sipas të cilit: Ilir Kumbaro konsiderohet se i fshihet drejtësisë dhe do të gjykohet në mungesë. Për mbrojtjen e tij u caktua avokati Remzi Ponari. Ndërsa seanca do të shtyhej për shkak të problemit të Budjon Meçes. Avokati i Sefgjinit ka kërkuar nga gjykata të gjejë një zgjidhje për këtë ngërç, pasi gjendja e Meçes mund të mos përmirësohet dhe procesi të mbetet i bllokuar. Drejtuesi i trupit gjykues deklaroi se do ta shtynte me dy javë seancën e ardhshme të procesit, me shpresën se gjatë kësaj kohe gjendja shëndetësore e Meçes do të përmirësohej. Gjithsesi, burime të sigurta nga spitali thonë se gjendja e Budjon Meçes mund të dojë më shumë kohë për të ndryshuar, çka duket se do ta fusë në paralizë edhe vetë procesin për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›