Svoboda: “Qeveria të bëjë hapa për zgjidhjen e krizës”
Eljona Ballhysa
Zëvendëspresidenti i Grupit Parlamentar të socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, i bën thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë hapa përpara për zgjidhjen e krizës politike në vend. Këtë deklaratë Svoboda e ka bërë nga Dubrovniku, ku ka marrë pjesë në të njëjtin samit ku ndodhet edhe kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Madje dy politikanët janë takuar dhe kanë zhvilluar një bisedë rreth situatës politike në Shqipëri. Ndërkohë që Svoboda theksoi nevojën për zgjidhjen e krizës në vend si kusht për anëtarësimin në BE, kryeministri shqiptar Berisha ka shprehur vullnetin e maxhorancës për të bashkëpunuar me opozitën me kusht realizimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE. Më tej, gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha e ka falënderuar z. Svoboda për miratimin e Rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe angazhimin e grupit socialist në Parlamentin Europian për të inkurajuar integrimin europian të Shqipërisë. Berisha ka rikonfirmuar “vullnetin për të zbatuar Rezolutën në bashkëpunim të ngushtë me opozitën, për të përshpejtuar integrimin europian”.
Mesazhi
I pyetur nga mediat se cili është mesazhi kryesor që Parlamenti Europian i jep publikut shqiptar nëpërmjet Rezolutës së miratuar pak ditë më parë për Shqipërinë, zëvendëspresidenti i Grupit të socialistëve në PE, Svoboda, është ndalur në dy çështje kryesore. “Ka dy mesazhe. Njëri mesazh është që duhet të vazhdojnë reformat e ndryshme në vend, luftën kundër korrupsionit, më shumë transparencë, legjislacioni që lidhet me liberalizimin e vizave. Kurse mesazhi tjetër, pa dyshim është që të tejkalohet kriza e brendshme në vend, që qeveria dhe opozita duhet të përpiqen të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, sidomos nëse kemi parasysh zgjedhjet e ardhshme vendore që të paktën një herë të kemi zgjedhje që të mund të quhen nga të gjitha palët, të lira, të ndershme dhe transparente. Këto janë mesazhet kryesore të Parlamentit Europian”, - është shprehur europarlamentari.
Gjatë fjalës së tij Svoboda ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga PS-ja, e cila i dha fund bojkotit të Kuvendit, ndërkohë që i ka bërë thirrje maxhorancës që të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e krizës; pasi, siç shprehet ai, duhen dy veta për të kërcyer tango. “Unë nuk mendoj se kriza ka përfunduar. Natyrisht që hapi që ka ndërmarrë Partia Socialiste duke shkuar në Parlament për të punuar në Parlament, është një hap i rëndësishëm. Por, siç thotë një fjalë, duhen dy veta për të kërcyer tango. Unë mendoj se edhe qeveria duhet të bëjë disa hapa përpara, por ajo çka na intereson nuk është që të akuzojmë njërën ose tjetrën palë. Këtë po ua lë ta bëjnë disa anëtarë të Parlamentit Europian nga ana e PPE-së, të cilët, për fat të keq, u angazhuan në një mbrojtje të njëanshme të qeverisë. Unë nuk e kam akuzuar qeverinë. Unë po punoj me kolegët e mi socialdemokratë që të dyja palët, qeveria dhe opozita, të gjejnë një rrugëdalje nga kriza, që të ulen së bashku, që të krijojnë këtë komision për të cilin ranë dakord, ku opozita socialiste do të ketë shumicën dhe kryetarin. Pastaj të punojnë për një legjislacion të ri, i cili të bazohet te analiza e legjislacionit të kaluar, çfarë mund dhe çfarë duhet bërë më mirë herën tjetër, në mënyrë që të ketë transparencë të plotë”, - është shprehur Svoboda, i cili nuk ka fshehur debatin mes së djathtës dhe së majtës në PE, të zhvilluar rreth krizës shqiptare.
Berisha në Kroaci: “Serbia t’i japë fund praktikës së bojkotit”
Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Kroaci, ku ka marrë pjesë në Samitin e Dubrovnikut, ka komentuar për mediat mospraninë e Serbisë në këtë samit, ku merrte pjesë Kosova. Sipas Berishës, ideali europian është ai i dialogut mes vendeve dhe për këtë arsye ai i bën thirrje qeverisë serbe që t’i japë fund praktikës së bojkotit. “Kjo, absolutisht, është një gjë që duhet të mos ndodhë. Sepse, edhe njëherë, dua të theksoj se ideali europian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejt”, - është shprehur Berisha. Më tej, gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare e ka cilësuar jashtëzakonisht të rëndësishëm Samitin e Dubrovnikut, pasi, sipas tij, në këtë samit Shqipëria në veçanti dhe vendet e Ballkanit në përgjithësi morën mbështetjen e shteteve të ndryshme, si Franca, për integrimin europian. “Unë mendoj se është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm në kuptimin që këtu ishin të pranishëm: kryeministri i Francës, i Polonisë, i Sllovenisë, i Bullgarisë dhe të tjerë. Të gjitha janë vende anëtare të Bashkimit Europian dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt europiane të Shqipërisë, në mënyrë eksplicite kryeministri i Francës dhe të rajonit në përgjithësi. Unë mendoj se ky takim ishte shumë i dobishëm, sepse këtu shkëmbehen pikëpamjet për të gjithë problematikën që ekziston në vende dhe në rajon, si dhe krijohet një kuptim më i qartë, më i mirë, për të gjitha zhvillimet. Pra unë mund të them se ky ishte një samit vërtet shumë i dobishëm dhe, siç e dëgjuat ju, oratorët shprehën vizionin e tyre tërësisht në mbështetje të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të rajonit”, - është shprehur kryeministri Berisha.
Samiti i Dubrovnikut: E ardhmja e Ballkanit është në Europë
Në Samitin dyditor të Dubrovnikut në Kroaci, që nisi punimet ditën e premte, liderët ballkanikë dhe ata europianë diskutuan integrimin europian të rajonit në bllok dhe sfidat me të cilat përballet ai nga kriza ekonomike. Kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, në fjalën e saj inkurajoi vendet e Ballkanit. “Jam e sigurt se me objektivat e realizuara dhe përparimet e bëra, Kroacia i dërgon një sinjal pozitiv vendeve të tjera që duan të hyjnë në familjen europiane. Pikërisht për këtë arsye, vendet në Juglindje të Europës mund të shpresojnë në ndihmën e fuqishme të Kroacisë”, - është shprehur kryeministrja e Kroacisë.
Ndërsa presidenti kroat, Ivo Josipoviç, vlerësoi përparimet e rajonit. “Transformimi ynë nga një rajon problematik në një rajon paqeje dhe bashkëpunimi, është kontributi ynë i parë në arkitekturën aktuale politike të Europës”, - është shprehur presidenti kroat. Në fjalën e tij në këtë samit, kryeministri francez, Fransua Fijo, tha se ardhmja e rajonit është brenda BE-së, por theksoi se ende janë të nevojshme “transformimet e thella dhe se integrimi duhet të bazohet në merita”. Fijo tha se anëtarësimi i pritshëm i Kroacisë do t’i inkurajojë vendet ballkanike të kompletojnë reformat dhe të arrijnë po ashtu këtë qëllim. Edhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle, përshëndeti Samitin e Dubrovnikut.
12 Korrik 2010