E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Furtuna Fullani”, bëhet 20 numri i të shkarkuarve

01/02/2005  

Të ikurit akuzojnë Guvernatorin: Po vepron me nepotizëm

“Do t’i kërkoja Guvernatorit të ri të mos lëvizë stafin”. Rreth dy muaj më parë, ishte kjo kërkesa e ish-Guvernatorit Cani, ditën që i dorëzoi kompetencat Fullanit. Tani që ka kaluar shumë kohë nga “reforma Fullani”, kanë ngelur pa punë 20 punonjës të Bankës së Shqipërisë. Fatin e Tatjana Kongolit e patën dhe 9 drejtues të tjerë. Guvernatori Fullani ka shkarkuar nga detyra e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Publikun, Esmeralda Uruçin. Ish-ministrja e Kulturës ka akuzuar Guvernatorin se e ka shkarkuar pa asnjë justifikim nga vendi i punës. Por, Uruçi nuk ka qenë i vetmi zyrtar që i është kërkuar të largohet nga puna. Ergys Misha, drejtor Departamenti është larguar gjithashtu nga vendi i punës pa patur një motiv të qëndrueshëm. Sipas punonjësve të larguar, stafi i BSH-së është përfshirë nga paniku dhe rreth 20 punonjës, mes të cilëve 9 drejtues dhe 11 punonjës të thjeshtë, janë larguar nga puna. Banka e Shqipërisë ka në punë rreth 300 punonjës, që, sipas të pushuarve të fundit, nuk kanë asnjë status dhe janë të pafuqishëm të mbrohen nga urdhri i Guvernatorit. Zërat që qarkullojnë brenda BSH-së flasin për zëvendësime nepotiste brenda zyrave të Bankës, ku njerëzit e Guvernatorit po kontrollojnë gjithçka. Kështu, sipas informaciont të sjellë nga drejtuesit e pushuar nga puna, aktualisht në karrigen e drejtorit të Personelit është ulur Dashamir Halilaj dhe në zyrën e Prokurimeve, Artur Bejko, që njihen si njerëz të afërt të Guvernatorit Fullani. Sipas informacioneve, në listën e punonjësve të pushuar janë dhe Elsa Bizhga, Llazi Balliu, Klodion Shehu etj. Kështu duket se Guvernatori Fullani, nuk e ka dëgjuar fjalën e paraardhësit të tij Cani, i cili i kujtoi në fund se arritjet e Bankës së Shqipërisë, të pranuara dhe nga vetë Fullani, janë suksese të stafit të BSH-së. Cani i kujtoi Fullanit se, stafi i kualifikuar i BSH-së do të ishte një ndihmë e madhe në punën drejtuese të Guvernatorit Fullani. Por duket se Fullani ka vendosur të punojë me stafin e tij, ndërkohë që urdhërat për shkarkime kanë irrituar shumë nga punonjësit e vjetër që kanë humbur punën.

Rasti Kongoli,shkarkim politik

Tatjana Kongoli ishte drejtoresha e parë e shkarkuar nga Ardian Fullani. Anëtarja e Komitetit të Orientimit të Politikave, pranë PD-së, Tatjana Kongoli, është shkarkuar nga detyra si asistente e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për Integrimin Evropian. Guvernatori Ardian Fullani ka firmosur shkarkimin e Kongolit, duke vlerësuar se ajo ka shkelur ligjin për funksionimin e Bankës së Shqipërisë. Sipas Fullanit, etika e punës në BSH nuk e lejon punonjësin të angazhohet në punë të tjera, që bien ndesh me statusin. Kështu vendimi erdhi vetëm një javë pas konstituimit të Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike. Anëtarësimi i Kongolit në këtë strukturë është cilësuar e papranueshme prej Guvernatorit të Bankës, i cili ka vendosur për lirimin e ish-drejtoreshës së Doganave nga detyra. Madje asnjë ankesë e bërë prej Kongolit nuk ka ndryshuar mendjen e Fullanit, i cili, përfundimisht ka kërkuar në rrugë zyrtare, prej Kongolit, të lërë vendin e punës. Megjithatë, anëtarja e KOP-it e cilësoi të papranueshme dhe të paligjshëm shkarkimin nga detyra, duke u shprehur se do të ankohet në instancat më të larta, për të drejtën e saj. Burimet pranë Bankës së Shqipërisë kanë bërë të ditur se, së fundi, Fullani ka firmosur shkarkimin dhe të 12 funksionarëve të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›