E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtuna” dhe “Kashari”, Prokuroria dyshon për bashkëpunim mes të pandehurve

Ish-punonjës të Hipotekës së Tiranës kanë lidhje me abuzimet me trojet në Kashar. Prokuroria ka materiale shkresore për një bashkëpunim mes të pandehurve të të dyja grupeve

Luan Kondi

TIRANË - Hetimet mbi tre ish-punonjës të Hipotekës së Tiranës, të arrestuar për “shpërdorim detyre” gjatë operacionit “Furtuna”, kanë nxjerrë në pah lidhjen e mundshme të njërit prej tyre edhe në abuzimet me trojet në Komunën e Kasharit.
Hetimi
Hetues pranë Njësisë “Task-Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se grupi hetimor ka ngritur dyshime të forta, se njëri nga të pandehurit e operacionit “Furtuna” është bashkëpunëtor me të pandehurit e operacionit “Kashari”, që akuzohen për falsifikimin e dokumentacioneve të trojeve të kësaj Komune për qëllime përfitimi. Sipas burimit të mësipërm, Prokuroria ka administruar materiale shkresore që hedhin dyshime për një bashkëpunim të mundshëm mes të pandehurve të këtyre dy grupeve. Nën hetim për abuzime në Hipotekë janë gjashtë persona, tre prej tyre ish-punonjës të saj, të cilët u arrestuan para disa muajsh në kuadër të operacionit “Furtuna” si të dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Ndërkohë që, nën hetim për abuzimet me trojet e Komunës së Kasharit janë 11 persona, disa prej tyre ish-funksionarë të kësaj komune në periferi të Tiranës.
Dy operacionet
Gjatë operacionit të koduar “Kashari 2”, i cili u organizua më 1 dhjetor të vitit të kaluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me njësinë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, u arrestuan shtetasit; Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i Komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj Komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj Komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, ish - përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. Tre specialistët e Hipotekës së Tiranës dhe dy sekserët e arrestuar në kuadër të operacionit “Furtuna” që u zhvillua në fund të muajit shkurt. Gjatë veprimtarisë së tyre, e cila organizohej nga sekseri 55-vjeçar Veiz Senko, tre punonjësit e Hipotekës: Artan Mehmeti, 41 vjeç, Ramiz Hykaj, 42 vjeç dhe Enton Babameto, 33 vjeç, dyshohet se janë ndihmuar edhe nga persona të tjerë, për të cilët së shpejti priten urdhër-arreste. Duke hedhur dyshime për punonjës të tjerë të Hipotekës të përfshirë në abuzimet me dhjetëra prona. E ndërsa oficeri i policisë, 52-vjeçari Dali Hakorja, rezulton përgjegjës për falsifikimin e dokumentacionit për një sipërfaqe toke rreth 14 mijë metra katrorë, tre specialistët e Hipotekës së Tiranës dhe sekseri Veiz Senko dyshohet të kenë realizuar një sërë abuzimesh, për të cilat prokuroria është në proces hetimi.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›