Statistikat rrugore, 76 për qind e të aksidentuarve janë meshkuj
TIRANË - Meshkujt vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të personave që përfshihen në aksidentet rrugore në raport me femrat. Sipas statistikave të Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, mbi 76 për qind e personave që kanë humbur jetën kanë marrë plagë të rënda apo janë lënduar gjatë aksidenteve rrugore në tremujorin e parë të vitit 2008 janë meshkuj, ndërsa rreth 24 për qind e tyre femra. Gjatë kësaj periudhe, në shkallë vendi u regjistruan 256 aksidente në rrugë, ndërsa numri i personave të përfshirë në to shkoi në 327 veta, ku 247 ishin meshkuj dhe 80 femra. Në bazë të statistikave për muajin shkurt, nga 70 persona që humbën jetën, 53 prej tyre ishin meshkuj, ndërsa 17 femra. Ndërkohë, nga 62 persona që morën plagë të rënda gjatë së njëjtës periudhë, 49 prej tyre ishin meshkuj dhe vetëm 13 femra. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit te kaluar, numri i aksidenteve rrugore dhe i personave të përfshirë në to pësuan ulje. Probabiliteti që një mashkull në raport me një femër të përfshihet në një aksident rrugor, sipas specialistëve rrugorë, është i lartë, pasi numri i meshkujve që posedojnë një mjet është shumë më i madh se ai i femrave. Po ashtu, drejtuesit meshkuj abuzojnë më shumë me rregullat e qarkullimit rrugor, sidomos me shpejtësinë dhe me mosrespektimin e sinjalistikës, ndërsa femrat janë më të kujdesshme. Tirana mban numrin më të madh të aksidenteve të regjistruara në 3 muaj, me 109 aksidente rrugore, ose 42 për qind të të gjithë aksidenteve të ndodhura në shkallë vendi. Në Shqipëri rezultojnë aktualisht të regjistruara mbi 320 mijë automjete të ndryshme. Fluksi i lëvizjes së mjeteve që qarkullojnë në vend rritet sidomos gjatë stinës së verës dhe me rastin e festave të fundvitit, për shkak të mbërritjes së emigrantëve, numër ky që shkon deri në 1 milion mjete që qarkullojnë në të gjithë vendin.
29 Prill 2008