Ndoka: ”Ndjekje penale ndaj Gurakuqit, spekuloi me siglën e PDK-së”
Kryesia e Partisë Demokristiane është mbledhur ditën e djeshme, ku ka dënuar ashpër veprimet e disa anëtarëve të saj, të cilat, sipas kryesisë, keqpërdorën siglën e partisë. Kryetari i demokristianëve, Nard Ndoka, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se Nikolin Gurakuqi keqpërdori dhe spekuloi me siglën e PDK-së. Ai tha se PDK do të nisë një proces penal ndaj zëvendësministrit të Jashtëm në lidhje me keqpërdorimin e siglës së partisë. Kryesia, e drejtuar nga kryetari Ndoka, në mënyrë unanime u shpreh kundër përpjekjeve të individëve dhe klaneve politike të partive të tjera, të majta e të djathta, të ditët e fundit tentuan të përfshihen dhe të spekulojnë në emër të PDK-së dhe demokristianëve shqiptarë. “PDK nuk do të lejojë asnjë individ të partive të tjera politike të përdorë siglën dhe emrin e saj, siç edhe nuk do të tolerojë asnjë individ që në emër të PDK-së të spekulojë duke u bërë pjesë e një fushate denigruese, fyese dhe të pavërtetë. Duke analizuar këto zhvillime, Kryesia e PDK-së vendosi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë për të marrë vendimet përkatëse politike”, - thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj partie. Më tej kryesia diskutoi rreth çështjeve të organizimit dhe të zhvillimeve të fundit në parti. Kryesia vlerësoi rezultatet e rëndësishme pozitive të arritura në marrëdhëniet e PDK-së me partinë më të madhe politike gjermane, CDU, me Partinë Konservatore Britanike, si dhe me Selinë e Shenjtë. Ajo u shpreh e ndërgjegjshme se suksese të tilla kanë krijuar xhelozi tek disa segmente të politikës, të njohura gjithnjë si kundërshtare dhe përçarëse të demokristianëve, por u angazhua se të mos lejojë më që individë e parti jashtë PDK-së të spekulojnë më me emrin, simbolin dhe vlerat e saj historike.
29 Prill 2008