E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis aplikimi i dënimeve alternative, kush përfiton



Tiranë - Rritet numri i të miturve që gjykohen për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që Gjykata Shkallës së Parë në Tiranë ka nisur aplikimin e dënimeve alternative. Këtë e tregojnë statistikat për vitin e kaluar, por edhe ato të tremujorit të parë të vitit 2008. Kryesisht të miturit janë akuzuar për veprën penale të vjedhjes, por nuk mungojnë edhe rastet ku mbi ta rëndojnë edhe akuza të tjera të rënda, siç mund të jetë edhe shitja e lëndëve narkotike, apo në ndonjë rast edhe tentativa e vrasjes apo vrasja. Për vitin 2007 rezultojnë 15 persona të dënuar për veprën penale të vjedhjes, 10 prej të cilëve ishin përsëritës. Por prej disa muajsh, me krijimin e seksionit për të mitur, në këtë gjykatë si dhe në gjykatat kryesore të vendit, ka nisur aplikimi i dënimeve alternative, duke mos e dënuar këtë kategori me burg. Kjo ka ardhur pas mbështetjes që ka dhënë për këtë masë alternative edhe UNICEF-i. Bëhet e ditur se deri tani në Gjykatën e Tiranës janë dhënë mbi dhjetë dënime alternative. Kjo masë dënimi që lehtëson njëkohësisht edhe mbipopullimin në burgje, është dhënë për moshat e vogla dhe për ata persona që kanë kryer vepra të lehta penale. Ata që e përfitojnë këtë lloj dënimi janë të miturit që kryejnë një vjedhje, apo që rastësisht gjenden në ndonjë grindje të ndodhur kryesisht në ambientet e shkollave. Por nuk përjashtohen edhe ata të mitur, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi. Nga ana e gjykatës është bërë e mundur edhe ndërhyrja te palët për të mos arritur deri te dhënia e vendimit. Gjykata, kur bëhet fjalë për vepra të lehta penale, merr përsipër të kryejë rolin e ndërmjetësit për të gjetur një zgjidhje. Dy janë rastet kur ndërhyhet për zbutjen e dënimeve te të miturit. E para është puna në shërbim të komunitetit dhe e dyta është ajo që quhet ndërmjetësimi midis viktimës dhe ofenduesit për zgjidhjen e konfliktit, pa shkuar në situata penale. Por gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit shprehen se ka ende punë për të bërë në këtë drejtim, pasi në Shqipëri mungon eksperienca e duhur për këto lloj dënimesh, si dhe nuk ka institucione mbikëqyrëse.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›