Hartohet udhëzimi për zgjedhjet e reja brenda PD-së
Erald Kapri
Degët lokale të Partisë Demokratike kanë marrë tashmë udhëzimin e Kryesisë së PD-së për të nisur punën parapërgatitore për procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti. Zgjedhjet e këtij vitit pritet të nisin në muajin qershor, sipas kalendarit të katër viteve më parë, ku fillimisht degët e mëdha si Tirana dhe Durrësi do të zhvillojnë proceset e para. Kryesia e PD-së mësohet se ka miratuar edhe ndryshimet përkatëse në statutin e partisë ku sanksionohet mënyra e zgjedhjes së organeve drejtuese sipas parimit “një anëtar, një votë”. Partia Demokratike, që nga fillimi ka nisur zyrtarisht procesin e rinovimit të partisë. Të gjitha degët lokale u vizituan nga figurat e partisë me rastin e ditëve të themelimit të tyre në vitin 1991. Tragjedia e Gërdecit, por edhe disa ngjarje historike si pavarësia e Kosovës dhe marrja e ftesës për në NATO, apo axhenda e ngjeshur politike përsa u përket ndryshimeve kushtetuese, ka frenuar disi takimet me bazën e partisë. Gjithsesi, strukturat lokale kanë nisur diskutimet për përbërjet e ardhshme të strukturave të partisë si dhe për drejtuesit e partisë. Njëkohësisht zgjedhjet e këtij vitit do të jenë risi, pasi do të përdoret parimi “një anëtar, një votë”. Këto zgjedhje të brendshme, që do të prekin të gjitha degët lokale të PD-së, do të jetë edhe paranisja e Kuvendit të madh të partisë në vitin 2009, ku do të zgjidhet lideri i partisë më të madhe në vend. Degët e PD-së kanë përgatitur edhe listat e anëtarësisë. “Zgjedhjet në Partinë Demokratike do të kenë si pikësynim gjallërimin strukturave në figura të reja intelektuale dhe të rinj për të qenë gati për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009”, - është shprehur më parë sekretari Organizativ i PD-së, Flamur Noka.
Zgjedhjet
Statuti i ndryshuar i Partisë Demokratike parashikon që Kryesia e nëndegës, kryetari dhe organet e tjera do të zgjidhen çdo katër vjet me votim të fshehtë dhe me kandidatura alternative në Kuvendin e nëndegës. Numri i kandidatëve që i nënshtrohet votimit, duhet të jetë të paktën dy herë më i madh se numri i vendeve në kryesi. Organet e nëndegës së PD zgjidhen në Kuvendin e Nëndegës me votën e gjithë anëtarëve të PD sipas Parimit “një anëtar, një votë”. Sekretari i nëndegës publikon numrin dhe emrat e anëtarëve me të drejtë vote më 31 dhjetor të vitit paraardhës të zgjedhjeve në parti të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e nëndegës së PD si kryetar i nëndegës, anëtar kryesie i nëndegës, anëtar i Kuvendit Kombëtar të Partisë, anëtar i komisionit disiplinor të degës. Procedurat për përcaktimin dhe miratimin e kandidaturave, kriteret që duhet të plotësojnë të zgjedhurit e degëve përcaktohen në rregulloren e brendshme dhe aktet e tjera të Kryesisë së Partisë Demokratike. Kuvendi i nëndegës së PD-së zgjedh Kryesinë, kryetarin e nëndegës, komisionin disiplinor të nëndegës, anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD-së dhe vendos për çështje të rëndësishme të saj dhe për mocione të paraqitura në përputhje me Statutin. Parashikohet që kur Kuvendi është i mbledhur, të drejtën për të adresuar propozime dhe kërkesa për mocion për çështje të veçanta e kanë Kryesia e PD-së, kryesia e nëndegës, kryetari i nëndegës, pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit apo aktivit me të drejtë vote. Kërkesat për propozim kandidaturash dhe mocionet e shkarkimit të organeve të nëndegës duhet të jenë miratuar paraprakisht në Kryesinë e PDSH-së.
Strukturat
Qëllimi i këtyre zgjedhjeve në Partinë Demokratike nuk është vetëm zëvendësimi i disa kryetarëve lokalë degësh, por edhe vlerësim të punës ndaj tyre si dhe një ftesë për anëtarë të rinj që kanë qëndruar larg politikës. Krahas procesit të parashikuar në statut për zgjedhjet, një sërë takimesh me figurat më të larta janë zhvilluar për të bërë thirrje për hapjen e partisë ndaj emrave të rinj. Ky proces është cilësuar si tepër i nevojshëm për PD-në, pasi strukturat e saj janë unifikuar me qeverisjen dhe një frymëmarrje për partinë është cilësuar si e nevojshme. Disa figura në PD-së kanë kërkuar edhe ndarjen e posteve partiake me ekzekutivin, por gjithsesi, ata vërejnë se qëllimi kryesor i këtyre viteve ka qenë mirëqeverisja.
29 Prill 2008