E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë që përfitojnë pension duke u siguruar vullnetarisht



Jonida Tashi

Personat që kanë dalë nga skema e sigurimit të detyrueshëm të pensionit duhet të sigurohen në mënyrë vullnetare për ta përfituar atë. Në të kundërt, nëse nuk plotësohen vitet e munguara të punës për përfitimin e pensionit të plotë ose të pjesshëm, humbet e drejta e përfitimit të pensionit të pleqërisë.
Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) sqarojnë se, kur për një arsye apo një tjetër personat nuk janë të siguruar nga skema e sigurimit të detyrueshëm, ata kanë të drejtën e sigurimit vullnetar. Sipas tyre, vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi vazhdojnë sigurimin për të gjitha degët e sigurimit të detyrueshëm. Gjithashtu, këta të interesuar kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal. Ekspertët e degës së kontributeve në ISSH sqarojnë se kjo kontratë vlen nëse kontribuuesi e ka të paktën një vit kontratë me këto pagesa. Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Kontributeve, Naim Balluku, ka saktësuar se, mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për këtë vit. Kontributi që do të paguhet do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. “Por, sigurim vullnetar kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin që duan ta përfitojnë. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar”,- shprehet Balluku. Ndërkaq, ai ka shpjeguar se nuk lejohet pagesa e kontributeve për periudhat e kaluara në fushën e sigurimit të paaftësisë së përkohshme në punë, aksidentet në punë e sëmundjet profesionale.
Më të interesuarit
Sipas specialistëve të ISSH-së, për të përfituar një pension të plotë, kushtet kryesore janë një moshë që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe vjetërsi në punë 35 vite, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohen 15 vite sigurimi. Specialistët e kontributeve në ISSH shpjegojë se aktualisht ka shumë shtetas që kanë nën 15 vite sigurimi, për shembull, mund të kenë 12, 13, apo 14 vite pune. Në këto kushte, këto vite sigurimi nuk i vlejnë, mbasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se plotësimin e periudhës prej 15 vitesh i interesuari do ta bënte me sigurim vullnetar, atëherë ky do të përfitonte një pension të pjesshëm. Po kështu, në të njëjtën mënyrë një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë të plotë këtë lloj përfitimi.
Si mund të realizohet
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve, Naim Balluku, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka aktivizuar të gjitha strukturat e tij në Drejtoritë Rajonale dhe Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore për të lehtësuar të interesuarit, si për sqarimet përkatëse, ashtu dhe për sigurimin e tyre. “Ndërmjet personit që do të sigurohet vullnetarisht dhe punonjësit të autorizuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, që mund të jetë dhe agjent i kontraktuar brenda apo jashtë vendit, lidhet një marrëveshje për sigurimin vullnetar. Tipi i marrëveshjes është në varësi të vendit ku lidhet kjo marrëveshje. Në rastet kur marrëveshja lidhet ndërmjet personit të interesuar dhe agjentit të ISSH-së jashtë territorit të Shqipërisë, kjo marrëveshje nënshkruhet nga të dyja palët”, - shpjegon Balluku, duke theksuar se gjithmonë sigurimi duhet të bëhet para lindjes të së drejtës për përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.

Emigrantët
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kontributeve, Naim Balluku, emigrantët mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshje me strukturat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore në nënqarkun ku kanë banuar, ku mund të kenë të arkivuar dhe vjetërsi në punë nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm. Aktualisht, ISSH-ja ka një kontratë me Bankën Amerikane të Shqipërisë, që ka filiale në Greqi, e cila ka marrë përsipër sigurimin vullnetar të shtetasve shqiptarë duke u krijuar atyre të gjitha lehtësitë e këtij sigurimi. Kjo bankë ka marrë përsipër t’u japë informacion të interesuarve për sigurimin vullnetar, të lidhë marrëveshje në emër të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke vepruar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore që veprojnë në këtë fushë. Për personin e interesuar për sigurimin vullnetar, si dokument identifikimi në mungesë të certifikatës personale të lindjes apo të pasaportës mund të pranohet dhe dokumenti i lëshuar nga autoritetet shtetërore Greke, i konfirmuar nga konsullata shqiptare në Athinë. Banka Amerikane e Shqipërisë në Greqi plotëson në prezencë të klientit dhe në konsultim me të marrëveshjen e sigurimit vullnetar me të gjitha rubrikat e kërkuara. Për çdo pagesë të kryer nga secili, përpilohet mandatë arkëtimi, ku shënohet qartë identiteti i klientit, data e kryerjes së arkëtimit, shuma e arkëtuar në euro dhe kundërvlera në lekë që i përgjigjet masës ligjore për një sigurim të kërkuar nga i interesuari, sipas kursit të ditës të kësaj banke. Ndërkaq, Balluku ka konfirmuar se po bëhen përpjekje edhe me autoritetet italiane, të paktën për të lehtësuar informimin e tyre për përfitimet që kanë në rast se paguajnë për të plotësuar periudhat e munguara. “Jemi drejt lidhjes së marrëveshjes që pagesa të tilla të kryhen edhe nga emigrantët në Itali. Presim që shumë shpejt kjo marrëveshje të konkretizohet”, - tha Balluku, sipas të cilit, marrëveshja e fundit me INAS-in tashmë është në fazën përfundimtare për të njoftuar emigrantët shqiptarë në Itali për të gjitha pagesat që nevojiten me qëllim për të mos humbur vitet e punës në Shqipëri.

Kategoritë për sigurimin vullnetar

Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi, vazhdojnë sigurimin për të gjitha degët e sigurimit të detyrueshëm. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal.

Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin pensionin. Kontributi që do të paguhet do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar.

Sigurim vullnetar kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar, të cilët nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin që duan ta përfitojnë pensionin. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal, për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›