Regjistër kombëtar për shqiptarët që jetojnë në emigracion
TIRANË - Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, do të përfshihen në një regjistër kombëtar që po përgatitet nga Drejtoria e Politikave të Migracionit pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Numri më i madh i shqiptarëve që kanë emigruar pas vitit 1990 është përqendruar në Greqi dhe Itali, ku llogariten të jetojnë rreth 1 milion veta, ndërkohë që mijëra të tjerë janë vendosur në SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe etj. Sipas Drejtorisë së Politikave të Migracionit, ende nuk ka një shifër zyrtare të emigrantëve shqiptarë që punojnë në vende të ndryshme të botës. Nga të dhënat paraprake, rreth 400 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Itali, ndërsa 500-600 mijë emigrantë ndodhen në Greqi. Në këto dy vende përqendrohet dhe numri më i madh i emigrantëve, rreth 75-80 për qind, madje në Greqi shqiptarët kanë vendosur një rekord, pasi zënë mbi 50 për qind të të huajve. Nga të dhënat rezulton se 35 për qind e fuqisë sonë punëtore aktive jeton e punon në vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Në vite drejtimi i flukseve të emigrantëve shqiptarë ka ndryshuar. Shqiptarët emigrantë kanë parë si vende të parapëlqyera Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. Me autoritetet e këtyre vendeve qeveria shqiptare është në proces të tërheqjes së të dhënave të sakta lidhur me numrin e shtetasve shqiptarë që punojnë atje. Për këtë qëllim, në zyrat rajonale dhe vendore të punësimit ekzistojnë regjistra të veçantë. Synimi i vetëm nuk është hartimi i regjistrit të emigrantëve. Bazuar në statistikat mund të përmirësohet kuadri ligjor, monitorohet zbatimi i legjislacionit tonë. Regjistri me vendndodhjen e gjithë emigrantëve krijon mundësitë e ofrimit të shërbimit të asistencës, qoftë edhe përmes përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore.
29 Prill 2008