E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportuesit e KE-së: “Nevojitet thellimi i reformave në vend”



Dy raportuesit e Asamblesë së Këshillit të Europës, David Wilshire dhe Jaakko Laakso, kanë kërkuar thellimin e reformave në Shqipëri për të garantuar progresin e nevojitur për t’u integruar në BE. Këtë deklaratë, monitoruesit e Bashkimit Europian e bënë gjatë takimeve të zhvilluara dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi. Burime nga këto takime bënë të ditur se dy përfaqësuesit e Këshillit të Europës kanë marrë informacion mbi situatën politike në Shqipëri dhe realizimin e reformave të rëndësishme. Këtë informacion dy raportuesit do ta pasqyrojnë në progres-raportin për Shqipërinë, që do të publikohet në muajin nëntor të këtij viti. Të dy përfaqësuesit e BE-së kanë kërkuar në këto takime që vendi të realizojë reformën zgjedhore, reformën në sistemin e drejtësisë, reformën e pronësisë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, nga ana e saj, ka bërë të ditur se institucionet shqiptare kanë të gjithë vullnetin për të realizuar zgjedhje të lira e me standarde dhe brenda një kohe të shkurtër do të bëhen pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit. “Në Kuvend kemi realizuar reforma të mëdha, siç ishin ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan me konsensusin më të gjerë të arritur në këto 18 vjet. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një mbështetje e dhënë për gjithçka që Shqipëria ka realizuar”, - është shprehur Topalli.
Presidenti Topi, nga ana e tij, gjatë takimit ka falënderoi komisionarët për mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Këshilli i Europës e veçanërisht Komisioni i Venecias, i ka dhënë vendit tonë për thellimin e proceseve reformuese demokratike.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›