Fusha e Aviacionit, Bashkia e Tiranës bën thirrje për tërheqje
190 mijë metra katrorë të ambienteve ku ndodhet ish-fusha e Aviacionit janë bërë pjesë e një debati publik mes Ministrisë së Ekonomisë, Partisë Socialiste dhe Bashkisë së Tiranës. Pas reagimeve të ditëve të kaluara nga deputeti socialist, Eduard Shalsi, dje zëdhënësi i bashkisë së kryeqytetit, Florian Serjani, ka prezantuar optikën e këtij institucioni lidhur me statusin juridik të ambientit në fjalë. “Nuk ka asnjë vendim qeverie për kthimin e ish-fushës së Aviacionit në pronësi të pushtetit vendor. Ka vetëm një vendim të KRRTSH-së që e përcakton si zonë të gjelbër, por kjo s’do të thotë absolutisht asgjë dhe praktika tregon se një fakt i tillë nuk e pengon privatizimin. Së dyti, Bashkia e Tiranës nuk ka kërkuar thjesht pistën për ta kthyer në park, po të gjithë territorin prej 190 mijë metrash katrorë... Praktikisht, territori prej 5.5 hektarësh i parashikuar nga KRRTSH është vetëm një e treta, kurse dy të tretat e ish-fushës së Aviacionit, siç e pohon edhe vetë përgënjeshtrimi i sotëm, kalojnë në privatizim”, tha Serjani. Ai ka bërë thirrje që qeveria të mos lejojë privatizimin e kësaj hapësire të destinuar për vepra publike për komunitetin, sikurse ka shtuar se edhe privatizimi i ish-repartit ushtarak në Kodër–Kamzë është i padobishëm për sa kohë që ai u mbyll rrugën investimeve për ndërtimin e kopshteve etj. I menjëhershëm ka qenë reagimi për këtë çështje i Ministrisë së Ekonomisë, e cila përmes sekretarit të Përgjithshëm, Durim Kraja, e ka sqaruar opinionin rreth procedurave të ndjekura. “Pasi Ministria e Ekonomisë kontrolloi të gjitha arkivat që ka në dispozicion, u vu re që as nuk ka pasur proces privatizimi dhe as nuk do të ketë proces privatizimi në lidhje me zonën që i përket Fushës së Aviacionit, e cila që në vitin 2006, me vendimi nr. 2, të datës 04.08.2006 të KRRTSH-së, është kthyer nga zonë e veçantë, në zonë e gjelbër dhe i është dhënë për zhvillim Bashkisë së Tiranës... Sqaroj se aerodromi është shumë më i madh se sa Fusha e Aviacionit prej 5.5 hektarësh që i është dhënë në përdorim Bashkisë së Tiranës për ta zhvilluar si zonë të gjelbër”, tha Kraja. Ai ka bërë të ditur se pretendimet e Bashkisë së Tiranës janë të paqena edhe për faktin se ato referojnë dy objekte të ndryshme. Për më shumë, sipas tij, një proces tjetërsimi apo privatizimi nuk do të ishte i mundur edhe për faktin se “METE nuk shet dhe nuk tjetërson prona... por përgatit procedurën për privatizimin”. Debati i nisur ka në prapavijë një mbështetje politike qëkur kreu socialist, Edi Rama, ka paralajmëruar ngrirje dhe verifikim të procedurave për privatizimin e aseteve të ushtrisë, që sipas opozitës përfaqësojnë një skemë korruptive që lidhet me investimet në turizëm apo ndërtim.
#