Fusha e Maliqit nën ujë, rimerr pamjen e kënetës
Fusha e Maliqit është kthyer në liqen. Tashmë fusha i përngjan kënetës së dikurshme. Toka ka dalë jashtë përdorimit, pasi uji ka arritur në një lartësi prej të paktën 3 metrash. Përmbytjet e sivjetshme nga reshjet janë shoqëruar edhe me bllokimin e kanaleve dytësore, që duket se kanë qenë edhe shkaku kryesor për mbajtjen e ujërave mbi tokë, pa asnjë mundësi kullimi. Specialistët e argumentojnë këtë përmbytje kaq të madhe me nivelin e ujërave të lumit Devoll. Të paktën 3 mijë hektarë tokë bujqësore janë prekur nga përmbytjet në fushën e Maliqit vetëm në muajin shkurt, ndërsa situata është përkeqësuar më tej sipas specialistëve edhe nga çarja e një argjinature të lumit Devoll. Por edhe pse ky lumë tashmë nuk ka një lartësi të rrezikshme të ujërave në shtratin e tij dhe as nuk rrezikon që nga tejmbushja të dalë nga shtrati, specialistët e bujqësisë dhe të shtabit të emergjencave i qëndrojnë versionit se këto përmbytje kanë ardhur nga ky lumë. Tokat ndodhen të gjitha nën ujë, duke shkaktuar dëme të shumta për bujqësinë dhe fermerët. Fusha është krijuar nga tharja e kënetës së Maliqit, e cila për shkak të djegies së vazhdueshme, ka ulur nivelin e tokës nga viti në vit dhe gjendet nën nivelin e ujërave nëntokësore, gjë që shkakton çdo vit përmbytje. Por këtë vit situata është përkeqësuar më tej pas reshjeve dhe shkrirjes së dëborës. Një vit më parë, në këtë zonë përmbytjet prekën të paktën 300 hektarë tokë, ndërkohë që nga bordi i kullimit u bë kullimi i sipërfaqeve me hapjen e kanaleve me ekskavatorë. Këtë vit, situata e rënduar duket se ka nxjerrë jashtë pune edhe ekskavatorët. Në zonë janë vënë në punë vetëm dy mjete teknologjike, në kolektorin e Sovjanit dhe një tjetër mes Drithasit dhe Sheqerasit. Por për shkak se uji ka arritur një thellësi të madhe, edhe mjetet e kanë të pamundur të punojnë tashmë në këtë zonë. Janë të paktën 15 fshatra, tokat e të cilave janë nën ujë nga përmbytjet dhe në zonën e Vreshtasit, arat që ndodhen jo shumë larg banesave janë të kthyera në liqen, duke rrezikuar të hyjnë edhe në disa shtëpi. Të përmbytura janë tokat e fshatrave: Sovjan, Maliq, Libonik, Drithas, Pylli i Fazanit, Vreshtas, Podgori, Sheqeras, si dhe të disa fshatrave të tjerë.
#