Përparon përmbytja, 5350 ha tokë nën ujë
Shkarkimi i ujërave nga hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës dhe së fundmi shkarkimet që po bën hidrocentrali i Fierzës kanë rikthyer një situatë të frikshme përmbytjesh në gjithë zonën e Nënshkodrës. Mijëra hektarë tokë dhe qindra banesa janë gjendur të përmbytura mëngjesin e djeshëm. Tashmë harta e përmbytjes është zgjeruar në gjithë zonën e Nënshkodrës dhe situata është shumë e ngjashme me atë të muajit janar, kur u përmbytën mbi 11 mijë hektarë tokë dhe mbi 4 mijë shtëpi. Dje paradite, strukturat e emergjencës në Shkodër raportuan për më shumë se 5300 hektarë tokë të mbuluar nga uji, më shumë se 100 shtëpi të përmbytura dhe rreth 700 të tjera të rrethuara nga uji, që mund të përmbyten nëse niveli i ujit vazhdon të rritet.
Nga burimet zyrtare të informacionit raportohet se në aksin rrugor nacional që lidh Shkodrën me pjesën tjetër të vendit ka prezencë uji, disa kilometra pa hyrë në Shkodër, ku niveli i ujit në rrugë është 20 centimetra.
Fshati Obot është tërësisht i izoluar nga uji. Niveli i ujit në këtë zonë ka arritur deri në 70 centimetra dhe e vetmja mënyrë komunikimi janë mjetet e lundrimit.
Komuna e Dajçit me të gjithë fshatrat e saj është e izoluar, pasi rrugët që të çojnë për në këtë komunë janë të pakalueshme nga uji, niveli i të cilit ka arritur deri në 60 centimetra.
Në Komunën Bërdicë rruga kryesore është e pakalueshme për automjetet e vogla, pasi uji në rrugë ka arritur deri në 45 centimetra.
Komuna Velipojë, me të gjithë fshatrat e saj, rrezikon të izolohet, pasi ka prezencë të ujit që vjen e rritet në aksin kryesor e të vetëm të kësaj zone. Niveli i ujit aktualisht është 20 centimetra.
Gjithashtu ka pasur rritje të nivelit të lumenjve Buna dhe Kir, duke bërë që periferia e qytetit të ketë prezencë uji.
Nga e gjithë kjo panoramë kuptohet se kemi të bëjmë me një përmbytje të dytë të Shkodrës, por për momentin lajmi i mirë është se kanë pushuar reshjet e shiut dhe ka një tendencë uljeje të nivelit të ujit në rrugë.
Ndërkohë, shumë banorë të zonave problematike janë evakuuar me dëshirën e tyre. Duke parë rritjen e nivelit të ujit, këtë radhë banorët janë larguar pa pritur urdhrin për evakuim. Kështu janë larguar banorë nga Oboti, Dajçi dhe anëtarët e komunitetit rom që jetojnë në periferi të qytetit, pranë lumit Buna.
Strukturat e angazhuara për përballimin e situatës së krijuar janë duke vepruar në terren në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Komisioni i Emergjencës Civile.
Konkretisht, në fshatin Darragjat të Komunës Dajç po punohet për përforcimin e argjinaturës. Në Bërdicë po ngrihet kampingu me 20 çadra në funksion të Komunës Dajç. Vazhdojnë punimet në fshatin Ashtë të Komunës Bushat, për përforcimin me mjete inerte me qëllim ruajtjen nga dëmtimi të 10 shtëpive që mund të rrezikohen nga shembjet për shkak të gërryerjeve nga lumi Drin.
Nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Forcave të Armatosura, me mjetet që disponojnë aktualisht po merren masa për drejtimin e operacioneve të evakuim-shpëtimit. Në fshatrat Shirq, Daragjat e Dajç janë dërguar forca dhe mjete për evakuimin e komunitetit.
Edhe në Komunën Ana e Malit janë vënë forca dhe mjete në dispozicion për evakuimin e komunitetit, si dhe janë dërguar thasë me rërë për përforcimin e pritave në fshatin Gorricë.
Nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Shkodër janë mbyllur shkollat në Komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi (fshatrat Vukatanë, Kuç, lagjen Ajasëm të Shkodrës), deri në një urdhër të dytë.