Nuk ndalen shkarkimet, Fierza arrin 293 metra
Të dhënat e fundit zyrtare të KESH-it tregojnë se niveli i ujit në basenet e hidrocentraleve në Drin mbetet në kuotat maksimale, këtë herë edhe më të mëdha sesa ato të muajit të kaluar që shkaktuan përmbytjet masive në zonën e Nënshkodrës. Sipas KESH, deri në mesditën e djeshme Fierza ndodhej në kuotën 293.94 metra, me tendencë të vazhdueshme rritjeje ditët e fundit, ndonëse sipas korporatës, në mesditë është arritur të ndalet rritja e mëtejshme e nivelit të ujit në këtë hidrocentral. Prurjet në liqen janë 900 metra kub në sekondë dhe korporata po shkarkon rreth 550 metra kub ujë përmes portave të emergjencës. Në Vaun e Dejës, që është edhe pika e fundit e kaskadës, janë rikthyer sërish shkarkimet në nivele të larta. Sipas të dhënave të mesditës, në Vaun e Dejës shkarkohen rreth 1500 metra kub ujë në sekondë, nga të cilat 1250 përmes portave të emergjencës dhe 250 nga turbinat që prodhojnë energji. Krahasuar me shkarkimet maksimale të janarit, derdhjet aktuale janë më të vogla, por gjithçka do të varet nga situata hidrike gjatë ditëve në vijim. Nëse reshjet do të vazhdojnë, shkarkimet do të jenë më të mëdha, duke paralajmëruar një tjetër përmbytje masive në Shkodër. Megjithatë, korporata thotë se situata është nën kontroll dhe deri tani e menaxhueshme.
#