E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia dhe SHBA-ja sjellin në pranga dy të dënuar për vrasje

Ekstradimi

Dy shqiptarë të dënuar për vrasje janë ekstraduar ditën e djeshme nga SHBA-ja dhe Italia. Shkëlqim Qosaj dhe Astrit Lika janë sjellë në pranga, pasi kërkoheshin nga drejtësia shqiptare. Sipas të dhënave zyrtare, në orën 11:30 është kryer ekstradimi nga SHBA drejt vendit tonë i shtetasit Shkëlqim Gjokë Qosaj, 33 vjeç, lindur në Bërdicë, Shkodër. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të datës 18.07.2000, e ka dënuar shtetasin e mësipërm me 20 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Sipas dosjes penale, më datë 10 nëntor 1998, në fshatin Bërdicë e Madhe të Rrethit të Shkodrës, Shkëlqim Qosaj ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Zef Preka, i cili po udhëtonte me makinë, duke i shkaktuar atij vdekjen. Arsyeja e këtij krimi ishte marrëdhënia që autori i krimit kishte me motrën e viktimës. Si rezultat i bashkëpunimit me drejtësinë amerikane, më datë 08 shtator 2006 u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i këtij personi. Po dje, në orën 17:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano drejt Shqipërisë i shtetasit Astrit Muharrem Lika, 33 vjeç, lindur në Fushë-Mamurras. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin e datës 21 tetor 2004, e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Sipas dosjes penale, në fshatin Fushë-Mamurras, Astrit Lika ka vrarë me armë zjarri Gëzim Lleshin për motive të dobëta. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Likës. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, këta dy persona u janë dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›