E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata shtyn Durrës-Kukësin

 

Armand Bajrami

Gjykata e Lartë shtyu gjyqin ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, pasi "zbuloi" se seanca e djeshme ishte caktuar të zhvillohej në një ditë pushimi zyrtar. "Kolegji nuk e pati parasysh se data 16 mars përkonte me një ditë pushimi. Ne nuk e kemi për praktikë të japim vendime në ditë pushimi, ndaj seanca do të shtyhet në një datë tjetër". Ky ishte arsyetimi që paraqiti dje përpara palëve, gjyqtari Spiro Spiro, relatori i pesëshes së gjyqtarëve që po shqyrtojnë dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorit të tij juridik, Andi Toma, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe favorizim në tenderat në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Seanca e djeshme në ngarkim të ministrit Basha dhe ish-drejtorit juridik të Transporteve, Toma nuk u zhvillua dhe me vendim të Gjykatës u shty për në datën 10 prill. Shkak për shtyrjen është bërë dita e djeshme që përkoi të ishte pushim zyrtar, për shkak se Dita e Verës ishte ditën e shtunë. Avokatët mbrojtës kërkuan të njiheshin me vendimin e gjykatës për kërkesat e bëra prej tyre një seancë më parë, me arsyetimin se të gjitha palët ishin prezent, por kërkesa nuk u mor parasysh nga trupi gjykues. 
SEANCA
Kreu aktual i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik i Ministrisë së Transporteve ishin të pranishëm në seancën e djeshme në Gjykatën e Lartë. Sapo ka deklaruar hapjen e seancës, kryesuesi ka sqaruar palët se për shkak të përkimit të ditës së djeshme me një ditë pushimi, seanca nuk do të zhvillohej. I menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatëve mbrojtës, të cilët pretenduan vazhdimin e seancës, pasi palët pjesëmarrëse ishin të gjitha prezent në sallë. Vendosja e datës së ardhshme shkaktoi gjithashtu replika mes palëve. Teksa po diskutohej për datën 27 mars, njëri nga prokurorët i bëri me dije gjykatës se në atë datë ishte me shërbim jashtë vendit. Ndërsa për një javë më vonë ishte ministri Basha, ai që e kishte të pamundur paraqitjen për shkak të një angazhimi zyrtar në Bruksel. "Akuza përfaqësohet nga dy prokurorë. Edhe në qoftë se njëri prej tyre mungon, është i pranishëm prokurori tjetër", u shpreh avokati Genci Gjokutaj, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Toma. Por, trupa gjykuese caktoi të premten e dytë të muajit prill si datë të seancës së ardhshme dhe mbylli seancën.
PROCESI
Seanca e djeshme ishte e treta në radhën e seancave të shqyrtimit të këtij procesi gjyqësor. Një seancë më parë, në të cilën u paraqitën kërkesat paraprake të palëve, pala mbrojtëse kërkoi nga gjykata pushimin e akuzës në çështjen "Durrës-Kukës". Avokati i ministrit Basha pohoi në këtë seancë se klienti i tij ende nuk ishte marrë i pandehur, pasi ai nuk ka marrë njoftim për akuzën e ngritur ndaj tij. Sipas avokatit Zef Nika, Kolegji Penal nuk mund ta shqyrtonte dosjen, pasi ekzistonin dy vendime të njëpasnjëshme të gjykatave, sipas të cilave Prokuroria ka tejkaluar afatet e hetimit. Ndërsa prokurorët pohuan se Basha ende nuk e kishte ankimuar vendimin për zgjatjen e afateve të çështjes pas datës 6 nëntor 2008. Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha dhe ish- drejtori juridik në këtë ministri, Andi Toma, akuzohen për "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tendera" në tenderat për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›