E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Truku” i një skenari të paralajmëruar dhe “këmbët e pastra”



Me fitoren 4-0 në shtëpi të Vllaznisë kundër një “baby” Dinamo dhe 3-0 të Tiranës me Elbasanin në transfertën e “Rruzhdi Bizhutës”, finalja e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë është thuajse e përcaktuar, edhe pse duhen luajtur zyrtarisht edhe 90 minuta të tjera (aspak përcaktuese). Lëvizja “këmbët e pastra” ka rastin të hetojë dosjen e parë, pavarësisht se asnjë prej protagonistëve nuk mund të ndëshkohet.
SKENAR I PARALAJMËRUAR - Një fitore e dhuruar, madje e përfolur. Për më tepër me shumë erë. Me katër gola të realizuar qysh në fraksionin e parë të një takimi të “infektuar” nga virusi prej të cilit, ende në Shqipëri nuk është zbuluar ndonjë mjek si francezi Lui Paster. Në Shkodër, trajneri malazias Dervish Haxhiosmanoviç (ende nuk kupton shqip), mund të jetë i vetmi që mund të pranojë se lojtarët e tij zbatuan me përpikëri detyrat taktike.
“BABY DINAMO”- Ndërsa Vllaznia u paraqit me formacionin ideal të saj, Dinamo mbërriti në Shkodër me “fëmijë” me synimin e vetëm për të fituar eksperiencë në “Loro Boriçi”. Vetëm 2 lojtarë titullarë: mbrojtësi Diop e mesfushori Ishka ishin në 11-shin startues të formacionit të Ilir Dajës, të mbushur me emra aspak të njohur.
“POKER” KUQEBLU- Senegalezi (di pak shqip) u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 5-të (prekje me dorë e topit), për t’i dhënë mundësinë Vioresin Sinanit të shënonte nga pika e bardhë (6’) e për të nisur “pokerin” kuqeblu. Dopieta e Albert Kaçit (9’, 22’) dhe goli i talentit Xhevair Sukaj (44’) mbyllën jo vetëm pjesën e parë 4-0, por edhe parakohe ndeshjen e parë gjysmëfinale, për t’i mos i lënë asnjë histori 90 minutave të dyta në kryeqytet.
FINALJA E 12-të -Vllaznia siguroi (teorikisht) kualifikimin e 10-të me Dinamon (8 kualifikime) dhe finalen e 12-të saj, për të synuar trofeun e 6-të, që i mungon prej 21 vjetësh, që nga viti 1987, kur në finale mposhti Flamurtarin (3-0, 1-3).

KATËR FINALE

Vllaznia-Tirana do të përsërisë sfidën e vitit 2006, kur bardheblutë, edhe atëherë të përjashtuar nga mundësia e fitimit të titullit (kampion doli Elbasani), fituan 1-0 (eurogol nga goditja e lirë e Duros në të 65’) kundër shkodranëve në finalen e zhvilluar Lushnjë. Takimi u gjykua nga një treshe arbitrash italianë me kryesor Stefano Fariana, por ish-presidenti i Vllaznisë, Agron Çela, i akuzoi “këmishzinjtë” e ardhur nga vendi fqinjë se kishin ndikuar në rezultatin e ndeshjes. Jashtë shënjestrës së Çelës nuk mbeti as Federata Shqiptare e Futbollit dhe kreu i saj, Armand Duka.

DOMINIM BARDHEBLU

Nëse Vllaznia e Tirana do të mbërrin në finalen (thuajse e sigurt) dy ekipet më të vjetra, të cilat së bashku kanë fituar 18 kupa të Shqipërisë (Tirana, 13 e Vllaznia, 5) do të përballeshin për herë të katërt në një finale. Në tre të parat: 1986, 1999, 2006, trofeun e ka “pronësuar” Tirana, edhe pse në atë të vitit 1999, pas barazimit 0-0, bardheblutë fituan nga gjuajtjet e penalltive (3-0).

Kupa e Shqipërisë
Gjysëmfinalet
Ndeshja e parë
Vllaznia-Dinamo 4-0
Golat: 6’ Sinani (11-m), 9’, 22’ Kaçi, 44’ Sukaj
Ndeshja e kthimit
Dinamo-Vllaznia, 23 prill

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›