Pritë 23-vjeçarit pranë banesës, plagoset me automatik nga dy vetë
SHKODER - Një 23-vjeçar ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së premtes, i qëlluar me një automatik. Sipas burimeve policore mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në lagjen "Ahmet Haxhia" të qytetit të Shkodrës. Besmir Hasani, 23 vjeç banues në këtë lagje është qëlluar me armë teksa po lëvizte me një motor në drejtim të banesës së tij. Autorë të kësaj ngjarjeje, sipas policisë, kanë qenë dy të rinj të cilët i kishin zënë pritë të riut dhe sapo e kanë parë të afrohej e kanë qëlluar me një breshëri automatiku duke e plagosur në këmbë atë. Pas këtij veprimi autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, së bashku me armën e krimit, të cilën e mbanin pa leje. Vetëm pak minuta pasi janë njoftuar, efektivë të policisë së komisariatit të policisë së Shkodrës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë marrë në pyetje të plagosurin. Më pas, ata pasi kanë shqyrtuar edhe vendin e ngjarjes kanë arritur që të identifikojnë autorët e plagosjes së Hasanit. Sipas policisë, ata janë: Dritan Vreto, 27 vjeç dhe Zamir Anamali, 31 vjeç banues po në lagjen "Ahmet Haxhia". Në vendngjarje policia ka sekuestruar dy gëzhoja automatiku në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, nga hetimet e para si dhe nga informacione të marrë në rrugë operative rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje. Kjo, pasi pak ditë më parë ka pasur një konflikt për motive të dobëta nga njëri prej autorëve të krimit me një të afërm të të plagosurit. Gjithashtu, burime pranë grupit të hetimit bëjnë të ditur se nisur nga plagosja në këmbë e 23-vjeçarit mendohet që më shumë kemi të bëjmë me një kërcënim ndaj tij sesa një atentat të pastër për eliminim. Nisur nga distanca e afërt dhe përdorimi në ngjarje i një arme automatike u krijonte mundësi autorëve ta qëllonin për vdekje. Por, duket se ata nuk kanë pasur këtë qëllim. Gjithsesi do të jenë hetimet e mëtejshme ato që do të bëjnë dokumentimin e plotë ligjor si dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Në ngarkim të shtetasve Dritan Vreto dhe Zamir Anamali Prokuroria e Shkodrës ka ngritur akuzat për veprat penale të "plagosjes së rëndë me dashje, e kryer në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake". r.d