E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushat dhe oraret e ndeshjeve, serioziteti i munguar nga ana e FSHF-së


Algen Vrapi

Albania-Sport
- Javën që shkoi, trajneri i Shkumbinit, Faruk Sejdini, e shfrytëzoi gjithë kohën në konferencën e shtypit të pasndeshjes kundër Turbinës, në Kupën e Shqipërisë, për të ironizuar administrimin e futbollit nga ana e FSHF-së, përsa i përket përcaktimit të fushës për ndeshjet e skuadrës së tij. Ndërkaq, vetëm 48 orë përpara fillimit të ndeshjeve të javës së 20-të, në Federatën Shqiptare të Futbollit, nuk merrje dot përgjigje të saktë, serioze, përfundimtare për oraret e zhvillimit të ndeshjeve. Pothuajse e vetmja gjë të cilën e pranojnë si detyrë të tyre: hartimi dhe zbatimi deri në fund me korrektësi i kalendarit, nuk po bëhet si duhet. Nuk është rasti i vetëm. Ndryshime oraresh në minutën e fundit ka patur edhe herë të tjera, deri kemi parë edhe ekipe që bredhin në këmbë nga një stadium në tjetrin në prag të fillimit të ndeshjes. Së fundi, edhe trajneri i Tiranës, ditën e hënë nuk kishte siguri për orarin e zhvillimit të ndeshjes të së mërkurës. Oraret, që përcaktohen qysh para fillimit të sezonit, në bazë të stinëve, duhet të jenë rigorozisht të zbatueshme. Ndoshta ata që merren me këtë punë në federatë bëjnë lojën e ndonjë mediumi të caktuar, në dëm të mediumeve të tjerë, ndoshta i nënshtrohen kërkesave të presidentëve të disa klubeve, në kurriz të klubeve të tjerë, pasi arsye madhore për mosrespektim oraresh apo për mospublikim të tyre në kohë, nuk ka. Më sipër thamë që përcaktimi dhe zbatimi korrekt i kalendarit është e vetmja gjë që, në rrugën "Labinoti" e pranojnë si detyrë të tyre. Kjo pasi, kur bëhen kritika për dhunën në stadiume, federata deklarohet dorëjashtë dhe tregon me gisht tribunat VIP; kur bëhen kritika për gjendjen e keqe të futbollit të bazës, federata deklarohet dorëjashtë dhe tregon me gisht klubet; kur bëhet fjalë për korrupsion, për zbehje të vlerave të futbollit, federata deklarohet përsëri dorëjashtë. Por, ndërkohë këto tema madhore janë në qendër të veprimtarisë së Federatës Europiane të Futbollit. Federata jonë shprehet se ndiehet mirë në gjirin e UEFA-s dhe deklarohet dorëjashtë për dukuritë negative në futboll, që UEFA i ka denoncuar e i denoncon dhe u kërkon federatave anëtare të jenë në ballë të luftës kundër tyre. Federata ndiehet mirë në gjirin e UEFA-s, ndërkohë kur do të duhej të ndiehej mirë brenda vetë sistemit futbollistik shqiptar, të cilin pretendon se drejton e organizon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›