Mërgim Mavraj bëhet “gjerman”

Albania-sport - Mbrojtësi shqiptar i skuadrës gjermane të kategorisë së tretë , Darmstadt, Mërgim Mavraj është bërë "gjerman" të mërkurën pasi ka zhvilluar ndeshjen e tij të parë me kombëtaren gjermane U-21 në përballjen miqësore me Italinë. Futbollisti i cili ishte konsideruar si një kandidat për të veshur fanellën e kombëtares shqiptare ka hequr dorë nga kjo e fundit për tu aktivizuar me Shpresat e "pancerëve". Mavraj është futur si zëvendësues në minutën e 67-të të ndeshjes që është zhvilluar në Reutlingen dhe që ka përfunduar pa gola.
Mavraj më parë kishte marrë pjesë në një grumbullim të kombëtares shqiptare nga ish-trajneri Hans-Peter Briegel, por kishte ndërruar mendje kur nuk ishte ftuar nga Otto Baric në grumbullimin e zhvilluar në Antalia në fillim të vitit dhe në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë.
Mbrojtësi 20-vjecar është futbollisti i katërt shqiptar që brenda këtij viti ka zgjedhur një kombëtare të huaj për të luajtur në vend të asaj shqiptare. Më parë njejtë kishin vepruar edhe Gjergji Kone dhe Sotir Nini që kanë zgjedhur kombëtaren greke, si dhe Përparim Hetemaj që tashmë ka debutuar me Finlandën.