E Shtunë, 31 Tetor 2026

L’Arena: Erjon Bogdani duhet të ndezë motorët

Albania-Sport - Barazimi me Palermon është pritur si një sinjal pozitiv për skuadrën e Kievos, por, në fokusin e shtypit veronez, mbetet ende forma e sulmuesit shqiptar, Erion Bogdani, i cili ende nuk është ngjitur në nivelin që pritej pas ardhjes nga Siena. Në fakt, në një artikull të botuar në numrin e djeshëm të saj, e përditshmja veroneze "L'Arena", e cila, duke bërë një analizë të ndeshjes së Kievos në Palermo, fundjavën e shkuar, e vlerësonte lojën e skuadrës veroneze, por kërkonte më shumë nga sulmuesi shtatlartë i Kombëtares kuqezi.
"Shenjat janë pozitive, - shpjegon trajneri i Kievos, Luixhi Del Neri, duke folur për të përditshmen në fjalë. - Por tani duhet të luajmë më mirë. Skuadra ka gjetur një ekuilibër të rëndësishme dhe kurajën e duhur, edhe pse ende na mungon dicka. Por, në Palermo u dhanë sinjalet që prisja dhe, mbi të gjitha, kam marrë konfirmimin e faktit se Kievo ka një shpirt të madh skuadre. Dhe, që këtu nis beteja jonë për mbijetesë." Në fakt, një nga faktorët që "L'Arena" vecon në këtë "mini-ringjallje" të skuadrës së tij edhe rikthimin në skemën antike, 4-4-2, që ka dhënë rezultat.
"Në sulm ka peshë (të cilën e ofron Bogdani) dhe magji (të cilën e ofron Obina), duke na rikthyer paksa kujtimet e kohës kur në sulm ishte dyshja Korradi-Maracina, - shkruante gazeta veroneze. - Por, përsa i përket Bogdanit, Erjoni i sotëm nuk është akoma ai që të gjithë do të dëshironin për Kievon. Gjithsesi, në Palermo ai dha se shenja shpresëdhënëse. Sigurisht që nevojitet dicka më tepër, por ai të jep përshtypje se futbollisti po e mëson sipas mënyrën së tij, se c'do të thotë të kesh botën mbi shpatulla te Kievo."
"Dikush mund të thotë se pritet akoma më tepër nga Bogdani. Por, në Sicili, "Princi i Epirit" (sic njihet ndryshe futbollisti shqiptar në Veronë), mund të ketë vënë në akull shishen e shampanjës së festës. Gabohemi? Ja ku vjen Torino për të na dhënë një përgjigje. Një përgjigje e rëndësishme, por jo përfundimtare", - përfundon gazeta veroneze, "L'Arena", artikullin e saj. Të shtunën, në ora 18:00, Kievo pret në fushën e vet Torinon, në një ndeshje që mbart një rëndësi të vecantë për të dyja skuadrat përsa i përket mbijetesën në Serinë A për sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›