Zjarr në një bankë, digjen dokumente dhe kompjuterë
Një tjetër zjarr është shkaktuar dy net më parë, por këtë radhë në ambientet e një banke në Tiranë. Zjarri është shkaktuar rreth mesnatës, duke sjellë një sërë dëmesh materiale, ndërkohë që menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, që kanë shuar flakët. Gjithashtu, banka e njohur ka qenë e pajisur edhe me masa antizjarr, por kjo nuk ka penguar djegien e disa materialeve. Policia e kryeqytetit bëri të ditur se rreth orës 23.45, në rrugën ‘M. Llagani", në ambientet e brendshme të një banke ka rënë zjarr. Me t‘u njoftuar në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë konstatuar se ka pasur disa dëme materiale. Sipas të dhënave nga policia, duke marrë shkas nga kjo, është ngritur një grup hetimor nga seksioni kundër shkatërrimit të pronës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit. Nga të dhënat paraprake, policia tha se zjarri ka djegur disa dokumente të rëndësishme dhe ka nxjerrë jashtë përdorimit disa pajisje elektronike. Gjithashtu, dega e bankës ka mbetur jashtë funksionit gjatë ditës së djeshme dhe mendohet të mbetet e mbyllur edhe për disa ditë të tjera, deri në riparimin e gjithë problemeve të krijuara. Gjithashtu, policia ka nisur hetimet dhe deklaroi se nga veprimet paraprake rezulton se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë, pas një defekti elektrik. Megjithatë, ende nuk është dalë në një përfundim zyrtar.