Gjykata vendos kontrollin për zyrën e Indrit Aliut
Gjykata e Tiranës ka lejuar prokurorinë për të dytën herë që të kryejë kontrolle në zyrën e mashtruesit Indrit Aliu. Gjyqtari Kreshnik Omari ka vendosur që t‘i hapë "dritën jeshile" organit të akuzës, pasi Aliu ka konsumuar elementët e veprës penale të mashtrimit nëpërmjet hartimit të kontratave me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve në fushën e infrastrukturës, duke u marrë pagesa këtyre shoqërive në formën e sigurimit të kontratës. "Veprimet e kryera janë kryer nga shtetasi Indrit Aliu, me qëllim të përfitimit material, rrethanë e cila rezulton nga fakti se ky shtetas nuk rezulton të dispononte fondet për mbulimin e këtyre kontratave", thuhet në vendim. Sipas gjykatës, këto "financime" kanë qenë shumat e konsiderueshme të parave, të marra nëpërmjet mashtrimit të dëmtuarve, siç janë rastet e shtetasve Alban Bitraj, Ramazan Biba, Sami Rami, Bashkim Nikolla dhe Laert Kasaj, si dhe nga fakti se ky shtetas tashmë është larguar. Gjykata thotë se të kallëzuarve Aliu u është dukur i besueshëm, pasi ishte parë shpesh në programe televizive, madje edhe duke sponsorizuar në emisione të ndryshme apo se kishim të bënin me një fondacion turko-italian-amerikan. "Në këto kushte, ka arsye të bazuara, për të menduar se shtetasi Indrit Aliu disponon prova materiale në zyrën e tij dhe disa sende të tjera që ndodhen në një vend të caktuar, siç mund të jetë banesa që kishte ky shtetas në adresën e njohur: Rruga "Don Bosko", pallati i Deputetëve -Tiranë. Gjetja dhe sekuestrimi i këtyre sendeve është i nevojshëm", thotë gjykata. Ndërkohë janë shtuar kallëzimet për Aliun. Sipas gjykatës, shtetasi Leart Kasaj e akuzon se i ka marrë disa pajisje elektronike me vlerë rreth 73 mijë euro.