E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në nënstacion, mbeten pa drita 5 zona të Tiranës

Pesë zona të rëndësishme të Tiranës kanë mbetur pa drita për shkak të një zjarri në nënstacionin elektrik të Shkozës. Zjarri është shkaktuar mëngjesin e djeshëm dhe mendohet se ka ardhur nga një defekt elektrik, duke shkaktuar mungesën e energjisë elektrike. Specialistët janë munduar të sjellin sërish energjinë te qytetarët, por deri në orët e vona të mbrëmjes, kjo gjë nuk është mundësuar.

Pikërisht rreth orës 07:00 të mëngjesit, një shpërthim ka ndodhur në një nga panelet e nënstacionit elektrik te ish-"Uzina Traktori". Kjo ka shkaktuar zjarr dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur specialistë të OSSH-së, zjarrfikëset dhe policia. Ndërhyrja e shpejtë e tre organeve ka sjellë shuarjen e flakëve, ndërkohë që është ndërprerë e gjithë energjia elektrike. Grupet e avarisë së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kanë nisur menjëherë punën për riparimin e defektit. Nga ana tjetër, forcat zjarrfikëse dhe policia kanë nisur hetimet për të parë nga se ishte shkaktuar ky defekt. Ndërkaq, burime zyrtare nga OSSH-ja bënë të ditur se "zjarri i rënë rreth orës 07:00 të mëngjesit, i cili u shua në kohë nga forcat zjarrfikëse, ka shkaktuar defekt të rëndë në nënstacionin e Uzinës Traktori". Sipas të njëjtave burimeve, si pasojë e zjarrit në nënstacion kanë mbetur pa energji elektrike zonat e Qytetit Studenti, Rruga e Elbasanit, "Ali Demi", "Porcelani" dhe gjithë zona e Shkozës. "Gjithashtu, grupet e avarisë së Operatorit Sistemit të Shpërndarjes kanë mbërritur në vendngjarje dhe gjatë gjithë ditës kanë punuar intensivisht për riparimin e defektit. Megjithatë, deri në orët e mbrëmjes, ky defekt nuk është riparuar, për shkak se zjarri ka shkaktuar një dëm shumë të lartë", thanë specialistët e OSSH-së.

Ndërsa, policia ka deklaruar se fillimisht në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 1, të cilat janë përforcuar edhe nga disa oficerë të policisë gjyqësore dhe specialistë të tjerë. Fillimisht, ata kanë deklaruar se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, megjithëse gjatë gjithë ditës, në bashkëpunim edhe me specialistët e OSSH-së, është punuar për zbardhjen e kësaj çështjeje. Megjithatë, grupi hetimor, dyshon se gjithçka ka ndodhur pas një defekti elektrik në një nga panelet e nënstacionit. Zjarri i djeshëm, duke shkaktuar mungesën e energjisë elektrike në pesë zona të rëndësishme të Tiranës, ka sjellë edhe mbylljen e përkohshme të disa bizneseve të vogla, që për mungesë të energjisë nuk kanë vazhduar dot punën. Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga studentët, të cilët kanë kërkuar energji elektrike, duke "protestuar" me të thërritura nga godinat e tyre, ku jetojnë gjatë kohës së shkollës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›