Ina Rama, në Kukës: Vlerësim pozitiv për punën e prokurorisë
Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë pjesë dje në analizën vjetorë të Prokurorisë së Kukësit. Në analizë ajo ka dhënë nota pozitive për prokurorinë dhe proceset gjyqësore të realizuara gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që ka ngritur nevojën e përsosjes së mëtejshme profesionale dhe cilësisë në gjykim. Në analizën e punës për vitin 2008, ajo ka dëgjuar raportin e lexuar nga prokurori i rrethit, Xhevahir Lita, sipas të cilit viti i kaluar ka shënuar një volum pune të konsiderueshme, ku prokuroria është treguar korrekte me ligjin dhe e papërkulshme ndaj trysnisë së krimit. Në raport u tha se prokuroria kishte dërguar në gjykatë për gjykim 218 procedime penale me 150 të pandehur, ku për 142 persona ishte kërkuar dënimi me burg. Në raport u theksua edhe fakti që gjatë 2008 kishte pasur 72 procedime penale të pezulluara për mosidentifikim autori, ndërsa kishte pasur gjithashtu 132 çështje të pushuara për raste vetëvrasjesh, aksidentesh, mosparashikim i veprës penale, parashkrim i veprës etj. Ndërkohë Lita ka thënë se Prokuroria e Kukësit ka transferuar drejt Prokurorisë së Krimeve të Rënda 37 çështje për shkak të moskompetencës së prokurorisë lokale. Në fjalën e saj numëri 1 i akuzës ka vlerësuar punën e Prokurorisë së Kukësit, e cila ka arritur rezultate "të pëlqyeshme", duke u ndalur në faktin që janë shënuar shumë pak arreste të pajustifikuara, si dhe shumë pak ndryshime të cilësimeve ligjore etj. "Është një punë e bërë mirë, por që gjithmonë ka nevojë të përmirësohet, dhe ne gjithmonë do të tentojmë për një nivel më të lartë profesional, do të tentojmë të ngremë nivelin tonë të hetimit, Prokuroria shqiptare sot është në kushtet kur duhet të aspirojë për një nivel më të lartë profesional, për afate më të shkurtra hetimore, për mbrojtje më të denjë të akuzës në proceset gjyqësore", ka thënë Rama.
Nga burime konfidenciale të institucionit të prokurorisë mësohet se në analizë nuk është diskutuar në detaje, madje as rasti i fundit i vrasjes së dy policëve të shtetit, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë.
Nga burime konfidenciale të institucionit të prokurorisë mësohet se në analizë nuk është diskutuar në detaje, madje as rasti i fundit i vrasjes së dy policëve të shtetit, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë.