E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, KQZ dhe KKRT, monitorim medias



Kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda, dhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, nënshkruan dje memorandumin e bashkëpunimit për monitorimin e mediave elektronike gjatë fushatës së zgjedhjeve të qershorit 2009. Me fillimin zyrtar të fushatës elektorale, KKRT-ja do të nisë të monitorojë median vizive, për të zbatuar ligjin. Doda tha dje se Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit është përgatitur për monitorimin e radiove dhe televizioneve, publike dhe private, duke rikonstruktuar studion e monitorimit dhe duke rritur kapacitetet monitoruese. “Këtë vit, - deklaroi Doda, - si risi do të kemi kapacitetet monitoruese tona, pra monitoruesit e KKRT-së mund të ndihmojnë në monitorimin e fushatës, pasi KKRT-ja ka tashmë kapacitetet njerëzore më të shumta për të ndihmuar në këtë fushatë”. Në bazë të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja, përpara fillimit të periudhës zgjedhore, ngre Bordin e Monitorimit të Medias, i cili shfrytëzon kapacitetet teknike që disponon Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit. Për rregullat, mënyrën dhe afatet e shfrytëzimit të kapaciteteve teknike të KKRT-së për nevojat e monitorimit, KQZ-ja dhe KKRT-ja lidhin një marrëveshje bashkëpunimi. Bordi i paraqet çdo ditë KQZ-së përfundimet e veta për ditën pararendëse.

Deputetët i heqin Neranxit imunitetin

Deputeti i LSI-së, Nikollaq Neranxi, tashmë nuk gëzon më këtë imunitet. Kuvendi miratoi me 64 vota pro kërkesën e Prokurorisë për të hetuar Neranxin për kontrabandë. Neranxi reagoi në Kuvend, duke akuzuar Prokurorinë si të kapur politikisht. Por, Neranxi tha më tej se prapa kësaj çështjeje ka pasur edhe një figurë të opozitës, të cilin e cilësoi si kopuk, por nuk e bëri publike. Ai akuzoi edhe shtetin dhe qeverinë, pasi sipas tij, i kanë bërë terror biznesit të familjes së tij. “Kjo kërkesë e ardhur befasisht prej Prokurorisë së Përgjithshme në Parlament është ideuar dhe vënë në lëvizje vetëm për shkaqe dhe qëllime të pastra politike. Unë nuk kam nevojë për imunitet dhe këtë e kam provuar dhe vazhdoj ta provoj jashtë dyerve të kësaj godine. Imuniteti ka qenë dhe mbetet gjëja më pak e rëndësishme për kaq kohë sa kam qenë deputet”, - tha Neranxi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›