PD, drejt përmbylljes së zgjedhjeve në bazë
PD-ja po shkon drejt përmbylljes së zgjedhjeve në bazë për të filluar me fazën përfundimtare të procesit të zgjedhjeve të reja, atë të drejtuesve të rinj të lidershipit të kësaj partie. Brenda pak ditësh pritet të mbyllen edhe zgjedhjet në katër degët e mbetura dhe bëhet fjalë për krerët lokalë në Lezhë, Shkodër, Kavajë dhe së fundi në Tiranë. Pas konferencës së kryeqytetit, PD-ja do të mbledhë Kuvendin e saj, nga ku do të përzgjidhen përmes votës së fshehtë sekretariati dhe drejtuesit kryesorë të partisë në pushtet. Kuvendi i 9-të është parashikuar të mblidhet në muajin maj dhe përmes tij do të dalin emrat e rinj që do të orientojnë PD-në drejt fitores së një mandati tjetër qeverisës. Përmes procesit të deritanishëm, PD-ja është rikthyer tek qëndrestarët në disa prej degëve të saj lokale, por anëtarësia demokrate në bazë ka votuar prurje të reja në parti, njerëz me integritet dhe profesionalizëm të lartë në fusha të ndryshme të jetës publike dhe shoqërore. Një ndërthurje e tillë, mes atyre që kanë kontribut në PD dhe atyre që kanë hyrë rishtas në këtë parti, do të ketë edhe në katër degët e fundit për të kryer zgjedhjet e reja. Por gara më e fortë do të zhvillohet për postet drejtuese në Partinë Demokratike. Kësaj gare do t’i paraprijë ajo për kreun e ri të degës më të madhe, asaj të Tiranës. Si rrallë ndonjëherë, në këto zgjedhje konkurrojnë një numër i madh kandidatësh, kryesisht figura të njohura të PD-së aktuale. Por duket se më i favorizuari për këtë zgjedhje është ish-ministri i Drejtësisë, deputeti Aldo Bumçi, i cili ka mundur të krijojë një profil të qartë politik brenda radhëve të PD-së. Vëmendja kryesore do të përqendrohet tek gara për drejtuesit e rinj në postet e PD-së. Zyrtarisht e shpallur prej kohësh është vetëm kandidatura e Arben Imamit, aktualisht shef i kabinetit të Kryeministrit Berisha. Imami pritet të konkurrojë për postin e sekretarit të përgjithshëm të partisë, post i cili mbahet për tri mandate radhazi nga z. Ridvan Bode. Kuvendi i 9-të i demokratëve zhvillohet pak ditë para fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe synimi i lidershipit të PD-së është një tjetër mandat qeverisës. Në shërbim të kësaj janë ministrat dhe deputetët demokratë, të cilët prej javësh kanë zbritur në çdo qytet dhe komunë të Shqipërisë për prezantimin e reformave të rëndësishme të qeverisë “Berisha” si dhe shpalljen e objektivave të reja që përmirësojnë edhe më tepër jetesën e qytetarëve shqiptarë.