Zbardhet marrëveshja e përafruar Shqipëri-Greqi për ujërat detare
Përmes matjeve të kujdesshme dhe me metoda shkencore, nga specialistët më të mirë të palës shqiptare dhe asaj greke, ndarja e ujërave detare mes dy vendeve fqinje është bërë milimetrikisht e barabartë. Vetëm pasi është verifikuar një gjë e tillë, Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord për firmosjen se shpejti të marrëveshjes dypalëshe për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja që është përafruar më datë 19 mars 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë, e miratuar dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave e që do të nënshkruhet nga kryeministrat Berisha dhe Karamanlis në datën 27 prill në Tiranë, konsiston në përcaktimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes dy vendeve. Kjo marrëveshje është fryt i një negocimi të kujdesshëm për rreth një vit, në disa seanca, në Tiranë dhe në Athinë, të realizuara në një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi reciprok dhe me një dëshirë të ndarë mes të dy palëve për të bërë më të mirën, pra një ndarje të drejtë e të ndershme të kufirit detar. Gazeta ka mundur të sigurojë marrëveshjen e përafruar, ndërkohë që kryenegociatori i palës shqiptare, Ferit Hoxha, shpjegon thelbin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas tij, përfundimi i kësaj marrëveshjeje është shprehje dhe materializim i vullnetit politik për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta me anë të bisedimeve dhe marrëveshjeve, duke u bazuar në respektin për të drejtën ndërkombëtare dhe në interes të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Kjo marrëveshje i shtohet kuadrit tashmë të gjerë dhe gjithnjë e më solid kontraktual dypalësh mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Është një marrëveshje shumë e rëndësishme edhe pse për thjeshtësi do ta quaja një marrëveshje standard, e njëjtë në thelb me atë që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë në vitin 1992, e që shpreh të njëjtat koncepte të unifikuara, të detyrueshme nga ligji ndërkombëtar në këtë fushë. Nuk dëshiroj të hyj në hollësira apo detaje juridike, por për të kuptuar saktësisht përmbajtjen dhe për të evituar çdo keqkuptim, më lejoni të përmend bazën juridike të marrëveshjes”, - u shpreh z. Hoxha. Baza juridike në të drejtën ndërkombëtare për përcaktimin e Shelfit Kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi më 16 nëntor 1994. Greqia është palë që prej 21 korrikut 1995, ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003. Duke qenë se të dyja vendet janë palë në këtë traktat ndërkombëtar, sipas nenit 83 të Konventës, ato duhet “të përcaktojë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar kufirin e Shelfit Kontinental”. Z. Hoxha thotë se është pikërisht kjo gjë që kanë bërë delegacionet e të dy vendeve. Në këtë rast, Shelfi Kontinental përfshin shtratin e detit dhe tabanin e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial, përgjatë zgjatimit natyral të territorit të tij tokësor deri në kufirin më të largët të kufirit kontinental, ose në një distancë prej 200 milje detare nga vijat bazë nga të cilat është matur gjerësia e detit territorial, kur kufiri kontinental nuk shtrihet deri në këtë distancë. Shelfi përfshin zgjatjen nënujore te masës se tokës dhe përbëhet nga fundi i detit, uljet dhe ngritjet e tij. Ai nuk përfshin masën ujore dhe ajrore mbi të. Kryenegociatori i palës shqiptare pohon se Shelfi Kontinental në kuptimin gjeologjik matet duke filluar nga pika në të cilën toka takon me ujin, ndërsa në kuptimin juridik ai fillon në pjesën e shtratit të detit ku mbarojnë ujërat territoriale. Në kuptimin gjeologjik, Shelfi mbaron në pjerrësinë kontinentale, ndërsa në kuptimin juridik mund të mbarojë në pika të ndryshme, në varësi të kufirit. Parimi bazë i përdorur e që është edhe metoda më e përhapur në përfundimin e marrëveshjeve të tilla është ai i equidistancës, ose bashkëlargësisë, d.m.th. përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare. Jurisprudenca e ka pranuar gjerësisht këtë metodë si më të përshtatshme për pothuajse të gjitha rrethanat. Kjo është e shprehur qartë në marrëveshje. Kufiri mes dy vendeve është ndarë në mënyrë të barabartë, pra me një vijë të mesme gjithkund të baraslarguar nga pikat më të dala të kufirit tokësor të të dyja vendeve. Në konceptin e kufirit tokësor bëjnë pjesë edhe ishujt, të cilët janë pjesë e territorit të palës përkatëse. Por cilat janë pikat ndarëse për të cilat do të nënshkruhet marrëveshja? Z. Hoxha shpjegon se “pikat ndarëse janë gjithsej 150 pika – koordinata - pjesë e marrëveshjes të cilat të bashkuara në një vijë të pandërprerë përbëjnë vijën ndarëse, pra vijën e mesme e që përcakton hapësirat detare të secilit vend”. Sipas tij, përcaktimi i sistemit të të dhënave (geodetic datum) ka qenë pjesë e diskutimit dhe gjatë negocimit janë përdorur dy sisteme të njohura gjerësisht. “Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të thjeshtësuar sa më shumë gjërat në aspektin teknik, në raundin e fundit u vendos të mbahej sistemi i të dhënave i përdorur nga pala jonë, WG84. Në pjesët ku bashkohet deti i më shumë se dy vendeve bregdetare duhet përcaktuar pika treshe (triple point). Meqenëse Greqia ka nënshkruar Marrëveshje të Shelfit me Italinë (24 maj 1977) dhe po ashtu edhe Shqipëria me Italinë (18 dhjetor 1992), në të ardhmen të tria vendet do të përcaktojnë bashkërisht pikën treshe ku takohen pikat fundore të vijës së tre vendeve”, - theksoi z. Ferit Hoxha. Kurse për sa u përket hamendësimeve në shtyp se pala jonë nuk ka marrë çfarë i takon, Hoxha bën të qartë se “unë nuk e di se ku mbështeten afirmime të tilla totalisht, e përsëris totalisht, pa asnjë bazë reale. Ndarja është “milimetrikisht” e barabartë, e ndershme dhe secila palë ka marrë atë që i takon, as më shumë e as më pak. Matjet janë bërë me metoda shkencore, nga specialistët më të mirë të të dyja palëve dhe ato kanë qenë të verifikuara dhe të certifikuara me kujdesin maksimal. Çdo pretendim tjetër është për më së paku pasaktësi”.