E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Berisha: Konsensus i paarritur ndonjëherë



Kryeministri Sali Berisha i bëri dje të ditur ministres së Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshës Winfrid Ann Taylor se zgjedhjet e qershorit 2009 janë zgjedhjet e para të cilat bazohen në një kuadër ligjor dhe institucional të miratuar me konsensusin më të lartë të arritur ndonjëherë. Gjatë takimit të djeshëm mes tyre, Berisha e informoi Baroneshën Taylor se qeveria po pajis qytetarët me dokumente identifikimi, më të sigurtat në Evropë, bazuar mbi një regjistër elektronik themeltar të shtetasve, si dhe ka krijuar lehtësitë më të mëdha për të gjitha shtresat në nevojë për pajisjen me këto karta. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë sa më shumë vëzhgues për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, duke e garantuar Baroneshën Taylor se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur të organizojë zgjedhjet më të mira në historinë e demokracisë shqiptare, që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, siç i meriton një vend anëtar i NATO-s. Kryeministri Berisha e njohu Baroneshën Taylor me reforma dhe arritjet e qeverisë shqiptare, për sa i përket luftës me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit, reformat për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe investimet në vend. “Lufta kundër korrupsionit bëri të mundur rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 23 për qind në vit ose 4 miliardë dollarë më shumë, të cilat u përdorën për ndërtimin infrastrukturës në të gjithë vendin, rritjen e rrogave për mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë, rritjen e pensioneve. Treguesit e kriminalitetit në Shqipëri janë tashmë më të ulët se mesatarja e vendeve evropiane. Shqipëria është tashmë vendi i prokurimeve elektronike, i taksës elektronike, i doganave elektronike, ku biznesi regjistrohet brenda 1 ore përmes procedurës “one stop shop” vetëm për 1 euro”, - vijoi ndër të tjera Kryeministri Berisha. Baronesha Taylor vlerësoi se këto arritje të rëndësishme, në veçanti reforma në fushën e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, reformat në fushën fiskale dhe thjeshtësimi i procedurave administrative dhe krijimi i një situate sigurie në vend, pa dyshim që japin një efekt të madh në nxitjen e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri.

Berisha në Francë, sot takon Sarkozy-në

Kryeministri Sali Berisha u nis dje për një vizitë në Francë, me ftesë të Presidentit të Francës, zoti Nicola Sarkozy. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të pritet në një takim të veçantë nga Presidenti i Francës, zoti Nicola Sarkozy në Pallatin Elysee. Gjithashtu, për nder të Kryeministrit Berisha, është organizuar një konferencë në Paris nga MEDEF (Mouvement d’Entreprises de France) ku mbi 30 përfaqësues të kompanive dhe grupeve bankare dhe financiare më të rëndësishme të Francës kanë shprehur interes të madh për t’u njohur gjerësisht dhe më nga afër me ecurinë e reformave në Shqipëri, ekonominë shqiptare dhe potencialet e saj. Në vazhdim të kësaj vizite, Kryeministri Berisha do të zhvillojë dhe një takim me ministrin e Jashtëm të Francës, zotin Bernard Kouchner, i cili do të shtrojë për Kryeministrin Berisha dhe një drekë zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›